Sëmundjet dhe simptomat

Bronkiti mund të vijë në dy forma: akute (që zgjat nga një deri në dy javë) dhe kronike (që zgjat së paku tre muaj të vitit për dy vite radhazi). Njerëzit me astmë po ashtu mund të kenë bronkitin astmatik, një inflamacion i veshjes së brendshme të gypave bronkial.

Bronkiti akut mund të shkaktojë kollë të gjatë dhe prodhim të gëlbazës që ndonjëherë shoqërohet me infeksion të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Në shumicën e rasteve, infektimi është me origjinë virusale, por ndonjëherë mund të shkaktohet edhe nga bakteret. Nëse ju jeni të shëndetshëm në aspektet tjera, membrana duhet të kthehet në gjendje normale pas rikuperimit tuaj nga infektimi fillestar i mushkërive, që zakonisht zgjat disa ditë.

Bronkiti kronik është një sëmundje serioze afat-gjate e cila shpesh kërkon trajtim të rregullt mjekësor.

Nëse ju pini duhan dhe prekeni nga bronkiti kronik, sëmundja është më e vështirë për t’u shëruar. Çdo cigare dëmton qimet që mbulojnë mbështjellësin e mushkërive tuaja, të quajtura cilia, të cilat janë përgjegjëse për pastrimin e thërrmijave, irrituesve dhe mukusit të tepruar.

Nëse ju vazhdoni të pini duhan, dëmtimi i këtyre qimeve i pengon ata të kryejnë si duhet funksionin e tyre, dhe si pasojë rriten gjasat tuaja për të zhvilluar bronkit kronik. Te disa duhanpirës të rëndë, membrana mukotike që mbështjell rrugët e frymëmarrjes qëndron e inflamuar dhe ciliat ndalojnë së funksionuari së bashku. Të penguara nga mukusi, mushkëritë janë edhe më të prira për t’u prekur nga infektimet virusale dhe bakteriale, që me kalimin e kohës i ndryshojnë dhe i dëmtojnë në mënyrë të përhershme rrugët e frymëmarrjes. Kjo sëmundje e përhershme quhet “sëmundja obstruktive pulmonare kronike”.

Mjeku juaj mund të bëjë një test të frymëmarrjes, që quajtur spirometër, për të parë nëse ju keni zhvilluar këtë sëmundje.

Bronkiti akut është shumë i shpeshtë. Sëmundja shpesh mund të mjekohet me sukses pa ndihmë profesionale mjekësore. Megjithatë, nëse ju keni simptoma të ashpra dhe të vazhdueshme, temperaturë të lartë, ose nëse kolliteni me gjak, ju duhet ta vizitoni mjekun. Kërkoni ndihmë emergjente mjekësore nëse keni probleme në frymëmarrje ose nëse keni dhimbje në gjoks. Nëse ju vuani nga bronkiti kronik, ju rrezikoni të zhvilloni edhe probleme me zemrën, si edhe sëmundje të tjera më serioze të mushkërive dhe infeksione, andaj duhet të jeni nën monitorim nga mjeku.

Simptomat e bronktitit akut

Simptoma më e shprehur e bronkitit akut është kollitja që fillimisht është e thatë. Pas disa ditësh, kollitja mund të nxjerrë gëlbazë. Ju mund të keni temperaturë të ulët dhe të ndjeheni të lodhur.

Simptomat e bronkitit akut zakonisht fillojnë tre ose katër ditë pas ndonjë infektimi të traktit të sipërm respirator, si hundë, fyt dhe gurmaz (laring). Shumica e njerëzve përmirësohen pas dy ose tre javësh. Por disa njerëz vazhdojnë të kenë kollitje për më shumë se katër javë.

Pneumonia po ashtu mund të ketë simptoma të ngjashme me ato të bronkitit akut. Pasi pneumonia mund të jetë serioze, është e rëndësishme të dallohen këto dy sëmundje. Simptomat e pneumonisë mund të përfshijnë temperaturë të lartë, të dridhura, dhe frymëmarrje të shkurtuar.