Sëmundjet me shkronjën: B

 

Çfarë është mëlçia?

Mëlçia është një organ i cili bën shumë gjëra të rëndësishme. Ajo kryen këto funksione:

  • Largon lëndët e dëmshme nga qarkullimi i gjakut
  • Lufton infeksionet
  • Ndihmon tretjen e ushqimit
  • Akumulon dhe ruan lëndët ushqyese dhe vitaminat
  • Akumulon energjinë

Askush nuk mund të jetojë pa mëlçi.

Çfarë e shkakton hepatitin B?

Hepatitin B shkaktohet nga virusi i hepatitit B. Viruset janë mikroorganizma të cilat mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme në organizëm. Për shembull, gripi shkaktohet nga një lloj i caktuar i virusit. Viruset mund të përcillen nga një njeri te tjetri.

Kush preket nga hepatiti B?

Çdokush mund të preket nga hepatiti B, por disa njerëz janë në rrezik më të lartë. Këtu përfshihen:

  • Njerëzit që janë të lindur nga një nënë që vuan nga hepatiti B
  • Njerëzit të cilët jetojnë me dikë që ka hepatiti B
  • Njerëzit të cilët kanë jetuar në pjesë të botës ku hepatiti B është i shpeshtë
  • Njerëzit të cilët janë të ekspozuar ndaj gjakut dhe lëngjeve të trupit në punë
  • Njerëzit në hemodializë
  • Njerëzit të cilët kanë pasur më shumë se një partner seksual në 6 muajt e fundit ose kanë histori të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme
  • Njerëzit të cilët përdorin substanca ilegale përmes injektimit.
  • Meshkujt të cilët bëjnë seks me meshkuj.

Si mund të merret hepatiti B?

Ju mund ta merrni hepatitin B përmes kontaktit me gjakun, farën ose ndonjë lëng tjetër të organizmit të ndonjë personi të infektuar. Ju mund të prekeni nga hepatiti edhe nëse:

  • Jeni lindur nga nëna me hepatit B
  • Keni pasur seks me person të infektuar
  • Keni bërë tatuazh ose keni vendosur pirsing me pajisje të pasterilizuar, e cila është përdorur nga ndonjë person i infektuar
  • Rastësisht jeni shpuar me ndonjë gjilpërë, e cila më herët është përdorur nga ndonjë person i infektuar.
  • Keni përdorur briskun e rrojës ose brushën e dhëmbëve të ndonjë personi të infektuar
  • Keni ndarë gjilpëra për injektim të substancave e ndonjë person të infektuar (shpesh ndodh te narkomanët).

Ju kurrë nuk mund ta merrni hepatitin B nga

  • Dhënia e dorës ndonjë personi të infektuar
  • Përqafimi i ndonjë personi të infektuar
  • Qëndrimi afër ndonjë personi të infektuar.

Cilat janë simptomat e hepatitit B?

Hepatiti B zakonisht nuk ka simptoma. Të rritur dhe fëmijët e moshës mbi pesëvjeçare ndonjëherë mund të kenë një ose disa prej këtyre simptomave:

  • Zverdhje të syve dhe lëkurës, të quajtur verdhëz
  • Periudhë më të gjatë kohore se zakonisht që gjakderdhja të ndalojë
  • Stomak ose nyja të ënjtura
  • Mavijosje e lehtë
  • Lodhje
  • Mundime në lukth
  • Temperaturë
  • Humbje apetiti
  • Diarre
  • Jashtëqitje me ngjyrë të verdhë të çelë
  • Urinë me ngjyrë të verdhë të mbyllur

Çfarë është hepatiti B kronik?

Hepatiti B është kronik kur trupi nuk mund të çlirohet nga virusi i hepatitit B. Fëmijët, veçanërisht foshnjat, janë më të prirë të preken nga hepatiti B kronik, që zakonisht nuk ka simptoma derisa të fillojë të dëmtohet mëlçia. Pa trajtim, hepatiti B kronik mund të shkaktojë prishje të mëlçisë, të quajtur cirrozë; kancer të mëlçisë; dhe insuficiencë të mëlçisë (pamjaftueshmëri; mëlçia nuk arrin ta kryejë punën e saj).

Simptomat e cirrozës kronike janë:

  • Zverdhje të syve dhe lëkurës, të quajtur verdhës
  • Periudhë më të gjatë kohore se zakonisht që gjakderdhja të ndalojë
  • Stomak ose nyja të ënjtura
  • Lodhje
  • Molisje
  • Plogështi
  • Mungesë apetiti
  • Rënie në peshë
  • Enë gjaku në formë të merimange, të quajtur angioma merimangë, të cilat zhvillohen në lëkurë.