Sëmundjet me shkronjën: A

Aknet, ose siç njihet në mjekësi akne vulgaris, janë një problem i lëkurës që më së shumti paraqitet te të rinjtë në fazat e hershme të pubertetit. Ky problem fillon si pasojë e pezmatimit të gjëndrave të vogla yndyrore të cilat rrethojnë qimet e vogla në fytyrën ose qafën tuaj. Kur yndyra dhe qelizat e vdekura të lëkurës bllokojnë poret tuaja, fillon paraqitje e akneve.

Aknet mund të paraqiten në formë të vetëm disa pikëzave ose puçrrave të kuqe, zakonisht në fytyrë, por ato mund të arrijnë edhe deri në qindra sosh, të jenë më të mëdha, të forta dhe të dhimbshme, dhe përveç fytyrës të dalin edhe në qafë, gjoks dhe në shpinë.

Shpeshtësia e paraqitjes së akneve arrin kulmin rreth moshës 17 deri në 19 vjeçe. Te shumica e personave aknet largohen kur ata arrijnë në mesin e të 20-tave, megjithatë disa njerëz me lëkurë të ndjeshme mund ta kenë këtë problem deri në vitet e 40-ta.

Ndryshimet hormonale të lidhura me shtatzëninë ose periudhat menstruale po ashtu mund të shkaktojnë ose të ndihmojnë daljen e akneve. Në këtë problem të lëkurës mund të ndihmojnë edhe faktorët irritues të ambientit si pluhuri, nxehtësia, lagështia ose të ftohtit.

Paraqitja e akneve mund të ndikojë edhe në gjendjen emocionale, veçanërisht te të rinjtë. Megjithatë kjo ndryshon. Disa persona kanë më shumë akne por nuk shqetësohen nga to, derisa të tjerë edhe pse kanë vetëm disa, ndjehen të turpëruar dhe të zemëruar.

Megjithatë, lajmi i mirë është se sot ka trajtime të mira të cilat mund t’ju ndihmojnë të largoni me sukses aknet dhe ta parandaloni paraqitjen e tyre.

Cilat janë simptomat (Shenjat dalluese të akneve)?

Shenjat e para të akneve janë njolla të vogla të papjekura, të cilat më vonë shndërrohen në puçrra që përbëhen nga acide të degraduara yndyrore. Inflamacioni paraqitet gjatë disa ditëve ose javëve, në varësi prej shpeshtësisë dhe ashpërsisë.

Aknet paraqiten në fytyrë, qafë, kraharor, shpinë ose gjoks. Aknet e ashpra mund të shkaktojnë plagë të cilat mund të mos largohen kurrë. Ato po ashtu mund të shkaktojnë stres psikik dhe probleme sociale.