Sëmundjet me shkronjën: A

Çfarë është alergjia?

Alergjia është një reagim jonormal i sistemit imun të organizmit ndaj kontaktit me substanca të cilat organizmi jonë i sheh si të huaja.

Sistemi imun prodhon disa substanca të quajtura antitrupa. Disa prej këtyre antitrupave mbrojnë nga substancat e jashtme të padëshiruara, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje dhe infektim. Por jo të gjitha substancat e huaja janë të dëmshme dhe disa nga këto substanca të huaja normalisht (te njerëzit joalergjik) janë të padëmshme dhe nuk nxitin një përgjigje alergjike. Por organizmi i disa njerëzve, atyre alergjik, i detekton këto substanca si ‘të dëmshme’ dhe në këtë mënyrë ato ‘ndezin’ një pjesë të sistemit të tyre imun duke stimuluar krijimin e antitrupave, gjë që krijon përgjigje alergjike.

Këto substanca të huaja, të cilat nxisin paraqitjen e reaksioneve alergjike te disa njerëz, quhen alergjenë. Alergjenët më të shpeshtë janë pluhuri, grimcat që krijohet nga qelizat e vdekura të lëkurës së kafshëve, poleni i luleve, myku dhe ushqimet.

Kur ndonjëri prej këtyre alergjenëve bie në kontakt me trupin e personave alergjik, kjo bën që sistemi imun i tyre të zhvillojë një reaksion alergjik. Kur ju reagoni në mënyrë të papërshtatshme ndaj alergjenëve, të cilat normalisht janë të padëmshëm për njerëzit tjerë, atëherë ju përjetoni një reaksion alergjik. Andaj, njerëzit të cilët janë të prirë për alergji zakonisht quhen si persona alergjikë. Alergjia është një problem shumë i zakonshëm që mund të prekë deri në dy në 10 persona.

I pari, i cili përdori termin alergji ishte pediatri austriak Clemens Pirquet (1874-1929). Fjala ‘alergji’ vjen nga gjuha e vjetër greke, në të cilën gjuhë ‘allos’ do të thotë ‘ndryshe’ ose ‘i ndryshuar’ dhe ‘ergos’, që do të thotë ‘punë’ ose ‘veprim’. Rrjedhimisht alergjia ka kuptimin e një ‘reaksioni ndryshimesh’.

Këto ndryshime mund të jenë nga më të ndryshmet dhe mund të përfshijnë lëkurën që kruhet, skuqje të syve, ënjtje të një indi ose edhe gërhitje. Në disa raste kjo mund të çojë edhe në një anafilaksi dhe madje edhe në vdekje.

Sëmundjet më të shpeshta alergjike përfshijë ethet, astmën, ekzemat dhe urtikariet. Disa njerëz fitojnë konjunktivit alergjik, derisa disa të tjerë reaksione të padëshirueshme nga barërat, pickimi i insekteve ose lateksi.

Alergjia në ushqime dhe mostoleranca ndaj shtesave të ushqimit janë disa raste tjera relativisht të rralla të shkaktimit të reaksioneve alergjike.

Cilat janë simptomat e një reaksioni alergjik?

Simptomat më të shpeshta të një reaksioni alergji i shkaktuar si rezultat i një alergjeni të inhaluar ose të prekur në lëkurë janë:

  • Sy të skuqur, të lotuar dhe që kruhen
  • Teshtitje
  • Hundë e skuqur, e rrjedhshme dhe që kruhet
  • Puçrra në formë njollash
  • Urtikarie (puçrra të ngritura)
  • Ndjenjë lodhjeje, plogështi.

Ekspozimet tjera të cilat mund të s shkaktojnë reaksione të ndryshme alergjike:

  • Alergjia në ushqime: Reaksioni alergjik i shkaktuar nga alergjenët e ushqimit po ashtu mund të shkaktojnë dhimbje barku, vjellje ose diarre (barkqitje).
  • Pickimi nga insektet: Reaksioni alergjik i shkaktuar nga pickimi prej bletës ose ndonjë lloj insekti tjetër mund të shkaktojë ënjtje lokale, skuqje dhe dhimbje.

Ashpërsia e një reaksioni alergjik mund të ndryshojë gjerësisht:

  • Simptomat e lehta – mund të jenë të pavërejtura, duke ju bërë vetëm të ndjeheni i/e lodhur.
  • Simptomat mesatare – mund të ju bëjnë të ndjeheni të sëmurë, ngjashëm sikur prekeni nga ftohja ose gripi
  • Reaksionet e rënda alergjike – mund të jetë tepër të pakëndshme dhe ta vështirësojnë jetën tuaj normale, në disa raste edhe duke rrezikuar edhe jetën.

Shumica e simptomave alergjike largohet shpejt pasi ekspozimi ndaj alergjenëve ndalohet. Reaksioni më i rëndë alergjik është anafilaksia. Në rastin e anafilaksisë, alergjenët shkaktojnë reaksion alergjik të gjithë trupit që përfshin:

  • puçrra dhe të kruara gjithkund në trup (jo vetëm në zonat e ekspozuara)
  • frymëmarrje e vështirësuar dhe e pamjaftueshme
  • ngjirje e zërit dhe ngushtim të fytit
  • therje në duar, këmbë, buzë ose lëkurë të kokës

Anafilaksia është kërcënuese për jetën dhe kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore. Simptomat mund të rriten shpejt, ashtu që duhet të drejtoheni te ndonjë dhomë e emergjencës në rast të dyshimeve për anafilaksi.