Sëmundjet me shkronjën: A

Njerëzit me HIV thuhet se kanë AIDS, atëherë kur zhvillojnë infeksione të caktuara ose kancere, ose kur numri i qelizave CD4 (qeliza T) është më i ulët se 200. (Numërimi i CD4 bëhet me anë të një testi gjaku nga punëtorët shëndetësorë).

Të kesh HIV-in nuk do të thotë gjithmonë se ke AIDS. Mund të kalojnë shumë vite që njerëzit që e kanë virusin HIV ta zhvillojnë sëmundjen AIDS. HIV dhe AIDS nuk mund të shërohen. Megjithatë, me barnat që janë tash në dispozicion, është e mundur të kihet një jetëgjatësi disavjeçare me pengesa të vogla ose minimale në kualitetin e jetës. Ekzistojnë mënyra për t’i ndihmuar njerëzit që të qëndrojnë të shëndoshë dhe të jetojnë më gjatë.

Si shkaktohet sëmundja?

HIV sulmon dhe shkatërron një lloj të qelizave të bardha të gjakut të quajtura CD4, ose më shpesh të njohura si qelizat T (limfocitet T). Funksioni kryesor i këtyre qelizave është luftimi i sëmundjeve. Kur numri i CD4 te një person zvogëlohet, atëherë ai është më i prekshëm nga sëmundjet.

Çfarë është AIDS-i?

AIDS-i (ose ndryshe SIDA – syndrome de l’immunodéficience acquise) është stadi më i avancuar i infeksionit me HIV. Kur qelizat CD4 të sistemit imunitar bien në nivel shumë të ulët, aftësia e organizmit për ta luftuar infeksionin humbet. Për më shumë, janë disa gjendje shëndetësore që paraqiten te njerëzit me infeksionin HIV me këtë shkallë të reduktimit të sistemit imunitar – këto quhen sëmundjet e përcaktuara nga AIDS-i.

Disa njerëz shfaqin simptoma të ngjashme me gripin rreth një muaj pasi janë infektuar. Këto simptoma zakonisht kalojnë pas një javë ose më rrallë një muaj. Një person mund ta ketë HIV-in për shumë vite, para se të sëmuret.

Me përparimin e sëmundjes, edhe femrat edhe meshkujt përjetojnë infeksione mikotike në gjuhë, ndërsa femrat mund t’i zhvillojnë këto infeksione edhen vaginë ose shfaqet sëmundja inflamatore e pelvikut. Herpesi, po ashtu shfaqet herët.

Cilat janë simptomat e AIDS-it

  • Ethe që nuk largohen
  • Djersitje në gjumë
  • Ndjenjë e lodhjes gjatë gjithë kohës (jo nga stresi ose mungesa e gjumit)
  • Ndjeheni të sëmurë gjatë gjithë kohës
  • Humbje në peshë
  • Ënjtje të gjëndrave (të qafës, ijëve ose sqetullave)
  • Infeksion mikotik në gojë

Cilat infeksione i marrin njerëzit me AIDS

Njerëzit me AIDS janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj infeksioneve, të quajtura si sëmundje të përcaktuara nga AIDS-i dhe zakonisht shfaqin këto gjendje:

  • Sarkoma Kaposi (tumor i lëkurës)
  • Ndryshime mendore dhe kokëdhimbje (të shkaktuara nga infeksionet mikotike ose tumoret në tru dhe palcën kurrizore)
  • Frymëzënie dhe vështirësi në frymëmarrje (për shkak të infeksioneve në mushkëri)
  • Demencë
  • Kequshqyerje.