Sëmundjet me shkronjën: A

Rrahja e shpejtë e zemrës quhet takikardi, ndërsa rrahja e ngadaltë quhet bradikardi. Shumica e aritmive janë të padëmshme, por disa mund të jenë mjaft serioze dhe të rrezikojnë jetën. Gjatë aritmisë zemra mund të mos jetë në gjendje të pompojë gjak të mjaftueshëm drejt organizmit. Mungesa e qarkullimit të gjakut mund ta dëmtojë trurin, vetë zemrën dhe organet tjera.

Për të kuptuar aritmitë, duhet ditur sistemin e brendshëm përçues të zemrës. Ky sistem kontrollon ritmin e rrahjeve të saj, në çdo rrahje të zemrës, një sinjal elektrik shpërndahet nga pjesa e sipërme deri në fund të zemrës. Derisa sinjali udhëton bën që zemra të tkurret dhe ta pompojë gjakun. Sinjali elektrik fillon në nyjën sinoatriale – SA (që gjendet në parabarkushen e djathtë). Nga nyja SA sinjali elektrik udhëton nëpër rrugë të veçanta në parabarkushen e djathtë dhe të majtë, duke bërë që ato të tkurren dhe ta pompojnë gjakun në dy barkushet (ventrikujt).

Pastaj sinjali shkon në nyjën atrioventrikulare (AV) që gjendet mes atriumeve (parabarkusheve) dhe ventrikujve (barkusheve). Këtu sinjali ngadalësohet duke i lejuar barkushet që të mbushen me gjak. Pastaj sinjali kalon në tufën e Hisit duke u ndarë në degën e djathtë dhe të majtë, ndërsa teksa kalon nëpër këto degë, ndodh tkurrja e barkusheve dhe pompimi i gjakut në mushkëri dhe përmes aortës në gjithë organizmin. Pastaj barkushet relaksohen dhe procesi fillon sërish nga nyja sinoatriale. Çdo problem në secilën pjesë të këtij procesi mund të shkaktojë aritmi.

Shenjat dhe simptomat më të shpeshta:

  • Palpitacionet (ndjenja e rrahjes së zemrës)
  • Rrahja e ngadalshme e zemrës
  • Rrahja e çrregullt e zemrës
  • Ndjenja e pushimeve mes rrahjeve të zemrës

Shenjat dhe simptomat më serioze:

  • Ankthi
  • Dobësi, marramendje, kokëdhimbje
  • Të fikët
  • Djersitje
  • Shkurtim i frymëmarrjes
  • Dhimbje në gjoks