Zorra qorre, Apendiciti
Apendiciti është një urgjencë mjekësore që kërkon ndërhyrje të shpejtë kirurgjike për të larguar apendiksin. Nëse nuk intervenohet, apendiksi i inflamuar mund të shpërthejë duke nxjerrë materiale infektive në hapësirën abdominale (e barkut).
Kjo mund të çojë deri te shfaqja e peritonitit – një inflamacion serioz i peritoneumit (mbështjellësit të zgavrës së barkut) që mund të ketë pasoja fatale, nëse nuk trajtohet shpejtë me antibiotikë të fuqishëm.
Çfarë e shkakton apendicitin?
Apendiciti shkaktohet kur apendiksi bllokohet, më së shpeshti nga jashtëqitja, nga një trup i huaj ose nga kanceri. Bllokimi mund të jetë edhe pasojë e infeksionit, meqenëse apendiksi fryhet si reaksion ndaj çfarëdo infeksioni në trup.
Simptomat klasike të apendicitit janë:
- Dhimbje topitëse pranë kërthizës ose në pjesën e sipërme të abdomenit që bëhet e mprehtë derisa lëviz në pjesën më të poshtme të abdomenit. Zakonisht kjo është simptoma e parë.
- Humbje apetiti.
- Nauze (mundim në lukth) dhe/ose vjellje menjëherë pas fillimit të dhimbjes abdominale.
- Fryrje e barkut.
- Temperaturë 37-39 gradë Celsius.
- Pamundësi për kalimin e gazrave.
Simptomat që shfaqen thuajse në gjysmën e rasteve:
- Dhimbje topitëse kudo në pjesën e sipërme ose të poshtme të abdomenit, në shpinë ose në rektum.
- Urinim që shoqërohet me dhimbje.
- Të vjella që i paraprijnë dhimbjes abdominale.
- Shtrëngime të rënda
- Kapsllëk ose barkqitje me gaz
Nëse i keni këto simptoma kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore, sepse koha e diagnostikimit dhe mjekimit është shumë e rëndësishme. Mos hani, mos pini e as mos përdorni barna që lehtësojnë dhimbjen (analgjetikë), antacide, laksativë e as mos vendosni jastëkë të ngrohtë – të cilët mund të shkaktojnë pëlcitjen e apendiksit.