Sëmundjet me shkronjën: A

Arterioskleroza dhe ateroskleroza janë dy koncepte të cilat shpesh përdoren si një, edhe pse në fakt janë dy koncepte të ndryshme, por të ngjashme.

Arterioskleroza paraqet forcim të arterieve. Kjo sëmundje jo vetëm që i trash artierit, por po ashtu shkakton edhe fortësim dhe humbje të elasticitetit të tyre. Me kalimin e kohës, arteriet bëhen më të forta dhe gradualisht dëmtohen nga presioni i lartë i gjakut.

Ateroskleroza është lloji më i shpeshtë i arteriosklerozës, ose forcimit të arterieve. Ateroskleroza shkaktohet nga mbledhja e pllakëzave të gjakut në enët e gjakut. Me kalimin e kohës këto pllakëza e trashin murin e enës së arteries, si pasojë e të cilës rezulton forcimi dhe humbja e elasticitetit të tyre.

Pra, pacienti me arteriosklerozë mund të mos ketë aterosklerozë, por një pacient me aterosklerozë ka arteriosklerozë.

Arterioskleroza është shkaktari i zakonshëm i sulmeve në zemër, pikës në tru, dhe sëmundjeve të tjera të enëve periferike, që me një emër quhen sëmundje kardiovaskulare. Sëmundja kardiovaskulare është një prej sëmundjeve më vdekjeprurëse në botë.

Shtrohet pyetja se si zhvillohet arterioskleroza, kush e sjell atë dhe pse? Ka shumë gjëra për t’u thënë për arteriosklerozën dhe paraqitjen e saj. Por gjëja më e rëndësishme është se kjo është një sëmundje që mund të parandalohet ndërsa edhe të mjekohet me sukses.

Çfarë e shkakton arteriosklerozën?

Para se të shpjegojmë sëmundjen, le të shohim diçka rreth enëve të gjakut. Arteriet janë enët e gjakut të cilat e dërgojnë atë nga zemra nëpër gjithë organizmin tuaj. Ato janë të mbështjella nga një shtresë e hollë e qelizave e quajtur endotelium. Endoteliumi mbron brendinë e arterieve dhe e mban atë të butë, që mundëson gjakut të qarkullojë lirshëm.

Ekspertët thotë se arterioskleroza paraqitet kur presioni i lartë i gjakut, konsumi i duhanit ose kolesteroli i lartë dëmtojnë endotelin e arterieve. Në këtë mënyrë fillojnë të krijohen të ashtu-quajturat pllakëzat e kolesterolit.

Së pari kolesteroli i keq, LDL, depërton në brendi të enëve të gjakut përmes endotelit të dëmtuar. Kolesteroli aty krijon disa shtresa, ku kapen qelizat e bardha të gjakut (qelizat mbrojtëse), me qëllim për të tretur LDL kolesterolin. Me kalimin e viteve, qelizat dhe kolesteroli që grumbullohen shndërrohen në shtresa të forta të cilat kapen në murrin e enës dhe gradualisht mbyllin arterien.

Këto pllakëza janë një përzierje e yndyrave (kolesterolit), qelizave dhe grimcave, dhe krijojnë xhunga të cilat vazhdimisht bëhen më të mëdha derisa bllokojnë enën e gjakut.

Arterioskleroza tenton të paraqitet gjithkund në trup. Ekspertët thonë se nëse ju keni enë të bllokuara në zemër, jeni në rrezik të lartë të prekeni edhe nga goditja në tru, ose e kundërta.

Arterioskleroza zakonisht nuk shfaq simptoma deri në moshën e mesme ose të shtyrë. Vetëm kur ngushtimi i enëve bëhet i ashpër, ajo e pengon kalimin e gjakut dhe mund të shkaktojë dhimbje. Bllokimet po ashtu mund të pëlcasin menjëherë, duke bërë që gjaku të mpikset brenda arteries në vendin e pëlcitjes.

Ekspertët mendojnë se në 90 për qind të rasteve, janë nëntë faktorë kryesor që mund të fajësohen:

  • Pirja e duhanit
  • Kolesteroli i lartë
  • Presioni i lartë i gjakut
  • Diabeti
  • Obeziteti abdominal
  • Stresi
  • Mosngrënia e pemëve dhe perimeve
  • Përdorimi i tepruar i alkoolit (më shumë se një pije në ditë për femrat, ose një ose dy për meshkujt)
  • Mos-aktiviteti i rregullt fizik (stërvitjet).

Ju mund të vëreni se të gjitha këto kanë diçka të përbashkët: Ju mund t’i kontrolloni ato! Ekspertët mendojnë se ulja e faktorëve të rrezikut mund të çojë në gjasa më të pakta për sëmundje kardiovaskulare.

Për njerëzit me risk mesatar ose të lartë – ata të cilët kanë pasur sulm në zemër ose në tru, ose që vuajnë nga angina – përdorimi i një aspirine (100 mg) në ditë mund të jetë shumë i rëndësishëm. Aspirina ndihmon parandalimin e krijimit të mpiksjeve të gjakut. Bisedoni me mjekun tuaj para se të filloni të pini aspirinë, pasi kjo mund të ketë edhe efekte anësore.