Sëmundjet me shkronjën: A

Sëmundja e Alzheimerit është një gjendje në të cilët qelizat nervore të trurit vdesin, duke e bërë më të vështirë për sinjalet e trurit të transmetohen në mënyrë të rregullt. Simptomat e Alzheimerit mund të jetë vështirë të dallohen në fillim të sëmundjes. Një person me sëmundjen e Alzheimerit ka probleme me kujtesën, vlerësimin dhe të menduarit, që e bën të vështirë për personin të punojë ose të jetojë normalisht ditë pas dite. Vdekja e qelizave nervore ndodh gradualisht gjatë një periudhe prej disa vitesh.

Cili është parashikimi i sëmundjes Alzheimer?

Zhvillimi i sëmundjes së Alzheimerit ndryshon gjerësisht nga njëri person te tjetri. Kohëzgjatja e sëmundjes mund të jetë e shkurtër (2 deri në tre vjet), ose e gjatë (deri në 20 vjet). Zakonisht pjesët e trurit të cilat kontrollojnë kujdesën (memorien) dhe të menduarit preken të parat, por me kalimin e kohës vdesin edhe qelizat nervore të zonave të tjera të trurit.

Personat me sëmundje Alzheimer do të kenë nevojë për një kujdes të plotë. Nëse personi ka sëmundje të tjera serioze, humbja e funksionit të trurit mund të shkaktojë vdekje.

Simptomat e sëmundjes së Alzheimerit te shumica e pacientëve zhvillohen ngadalë gjatë disa viteve. Simptomat mund të mos vërehen në stadet e hershme të sëmundjes. Ndonjëherë, anëtarët e familjes fillojnë t’i kuptojnë ndryshimet vetëm kur shikojnë në të kaluarën.

Simptomat më të shpeshta të sëmundjes Alzheimer përfshijnë:

  • Dëmtim i kujtesës dhe të menduarit. Personat e kanë vështirë të mbajnë mend gjërat ose të mësojnë informata të reja. Në fazat e mëvonshme të sëmundjes ndodh humbja afat-gjate e kujtesës, që do të thotë se personi nuk mund t’i mbajë mend informatat personale, si vendin e tij/saj të lindjes ose profesionin, ose emrat e anëtarëve të ngushtë të familjes.
  • Dezorientim dhe konfuzion. Njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund të humben kur dalin vetëm dhe mund të mos jenë në gjendje të mbajnë mend ku janë ose si të shkojnë diku. Ata mund të mos i njohin vendet dhe situatat e mëhershme familjare. Ata po ashtu mund të mos i njohin fytyrat e familjarëve ose të dinë se çfarë dite e javës është, ose madje edhe cili vit është.
  • Vendosja e gjërave gabimisht. Personi mund të harrojë se ku i vendos gjërat që i përdor çdo ditë, si gotën, çelësat, telefonin, etj. Personi mund po ashtu t’i vendosë gjërat në vende të gabuara, si për shembull gotat në frigorifer.
  • Mendime abstrakte. Njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund ta ketë më të vështirë se zakonisht t’i bëjnë disa gjëra, si llogaritjet e pagesave. Për shembull, ata mund të harrojnë se çfarë nënkuptojnë numrat dhe çfarë duhet bërë me ta.
  • Probleme në realizimin e detyrave familjare. Personat fillojnë ta kenë të vështirë të kryejnë obligimet ditore si të ushqyerit, veshja ose pastrimi. Edhe planifikimi i detyrave ditore po ashtu është i dëmtuar.
  • Ndryshime në personalitet dhe në sjellje. Personi bëhet i zemëruar, i irrituar, nervoz ose i qetë në mënyrë të pazakonshme. Me kalimin e kohës, njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund të bëhen të hutuar, paranoid ose me frikë.
  • Vlerësim i dobët ose i ulur. Njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit mund të largohen nga shtëpia në një ditë të ftohtë pa gëzof ose këpucë, ose mund të shkojnë në shitore të veshur me pizhame.
  • Paaftësi për të ndjekur udhëzimet. Personat me këtë sëmundje e kanë të vështirë të kuptojnë komandat ose udhëzimet e thjeshta. Personi mund të humbet me lehtësi dhe të fillojë të endet.
  • Probleme me gjuhën dhe komunikimin. Personat nuk mund t’i thonë fjalët, emrat e objekteve (edhe ata të cilët janë shumë të njohur për ta, si për shembull lapsi), ose të marrin vesh kuptimin e fjalëve të zakonshme.
  • Aftësi të dëmtuara vizuale dhe hapësinore. Personat humbin aftësinë hapësinore (aftësinë për të vlerësuar format dhe madhësitë, dhe raportin e objekteve në hapësirë), dhe nuk mund t’i rendisin gjërat në një formë të caktuar ose të njohin format.
  • Humbje e motivimit ose iniciativës. Njerëzit me këtë sëmundje mund të bëhen shumë pasiv dhe kanë nevojë për shtytje për t’u përfshirë dhe ndërvepruar me të tjerët.
  • Humbje e orarit normal të gjumit. Personat mund të flenë gjatë ditës dhe të qëndrojnë zgjuar gjatë natës.