Anemia
Anemia është një sëmundje e cila shkaktohet kur nuk keni numër të mjaftueshëm të qelizave të kuqe (eritrociteve) në gjak. Kjo shkaktohet edhe kur ju keni numër të mjaftueshëm të qelizave të kuqe, por atyre u mungon hemoglobina, një substancë e cila është përgjegjëse për transportimin e oksigjenit nëpër organe.
Ka disa lloje të anemive, dhe secila ka shkaktarin dhe mënyrën e vet të mjekimit. Anemitë mund të jenë të përkohshme ose afatgjata dhe mund të jenë nga të lehta deri të anemi të rënda.
Anemia më së shumti shkaktohet për shkak të mungesës së hekurit, i cili është përbërës kyç i hemoglobinës. Kjo është edhe arsyeja se pse anemia trajtohet pikërisht me ilaçe të cilat përmbajnë hekur. Anemia mund të shkaktohet edhe për shkak të humbjes së gjakut, mungesës së acidit folik ose vitaminës B12, sëmundjes me qeliza në formë drapri, dhe një sëmundje gjenetike të quajtur talasemia.
Disa forma të anemisë, si për shembull ajo gjatë shtatzënisë, konsiderohen si gjendje normale të organizimit.
Megjithatë disa lloje të anemisë mund të shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, andaj është mirë të vizitoni mjekun nëse dyshoni se keni anemi. Mjekimi i anemisë ndryshon që nga përdorimi i barnave të lehta deri te ndërhyrjet me procedura më të komplikuara mjekësore. Ju mund t’i parandaloni disa lloje të anemisë duke u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe duke konsumuar ushqime të llojllojshme.
Cili është roli i qelizave të kuqe të gjakut
Zemra, me anë të rolit të saj pompues, shpërndan gjakut gjithkund nëpër trup përmes artereve. Por, janë qelizat e kuqe të gjakut ato të cilat e bartin oksigjenin nga mushkëritë dhe e çojnë atë se çdo qelizë të organizmit. Qelizat e shfrytëzojnë oksigjenin si mjet për djegie për të zbërthyer sheqerin dhe yndyrat të cilat prodhojnë energji për organizmin. Gjatë këtij procesi lirohet dyoksidi i karbonit, i cili po përmes qelizave të kuqe të gjakut arrin në mushkëri dhe nxirret jashtë.
Me një fjalë qelizat e kuqe të gjakut përcjellin oksigjenin (e marrë prej ajrit nga mushkëritë) kudo ku ka nevojë në organizëm dhe e largojnë dyoksidin e karbonit nga organizmi. Si rrjedhojë ato janë vitale për funksionimin normal të organizmit.
Qelizat e kuqe të gjakut përmbajnë hemoglobinë, një proteinë e kuqe e cila është e pasur me hekur dhe e cila ia jep ngjyrën e kuqe gjakut. Është pikërisht hemoglobina ajo që u ndihmon qelizave të kuqe të gjakut ta bartin oksigjenin nga mushkëritë nëpër çdo qelizë të organizmit, dhe dyoksidin e karbonit në kahe të kundërt.
Qelizat e kuqe të gjakut, si edhe shumica e qelizave të tjera të gjakut, prodhohen rregullisht në palcën kockore – që është një material sfungjeror që gjendet në brendësi të shumë kockave të mëdha të organizmit. Për të prodhuar hemoglobinën dhe qelizat e kuqe, trupi juaj ka nevojë për hekur, vitaminën B12, acidin folik si dhe përbërës të tjerë të cilat gjendet në ushqimin që hani.
Shenjat dhe simptomat e anemisë dallojnë në varësi të shkaktarit të këtij problemi. Në to përfshihen:
- lodhja
- lëkura e zbehtë
- rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës
- frymëmarrje të shkurtuara
- dhimbje në gjoks
- marramendje
- probleme konjitive (njohëse ndaj gjësendeve, të mbajtur mend)
- duar dhe këmbë të ftohta
- kokëdhembje.
Anemia fillimisht mund të jetë e lehtë dhe e pavërejtur. Por këto simptoma zakonisht rriten paralel me përkeqësimin e anemisë.
Kur duhet ta vizitoni mjekun?
Nëse ndjehemi të lodhur për arsye të pashpjegueshme, caktoni një vizitë te mjeku. Disa anemi, si ajo për shkak të mungesës së hekurit, janë të shpeshta. Lodhja vjen si pasojë e shumë problemeve tjera dhe jo vetëm anemisë, andaj mos supozoni se nëse jeni të lodhur, ju duhet të jeni anemik.
Disa njerëz kuptojnë se hemoglobina e tyre është e ulët kur shkojnë të dhurojnë gjak. Niveli i ulët i hemoglobinës mund të jetë problem i përkohshëm i cili largohet pasi ju hani ushqime të pasura me hekur ose merrni multivitamina që përmbajnë hekur. Megjithatë, kjo mund të jetë edhe një shenjë paralajmëruese për humbjen e gjakut në trupin tuaj, që mund të bëjë që hekuri të jetë në mungesë.
Andaj, për të kuptuar njëkohësisht gjendjen tuaj të gjakut, ju mund të drejtoheni në institucionet përkatëse për të dhuruar gjak. Nëse organizmi juaj prodhon gjak në sasi të mjaftueshme dhe në mënyrë të rregullt, ju nuk do të keni kurrfarë pasojash të dhuroni gjak. Por, nëse ju thonë se nuk mund të dhuroni gjak, mjekët dhe kujdestarët tjerë shëndetësorë do t’ua thonë edhe arsyen.