Sëmundjet me shkronjën: A

Kërci është indi i rrëshqitshëm të mbulon pjesën e fundit të secilës prej kockave të cilat bashkohen në një nyjë. Kërci i shëndetshëm i lejon eshtrat të rrëshqasin mbi njëri-tjetrin. Ai po ashtu ndihmon amortizimin e lëvizjeve tronditëse.

Në rastin e osteoartritit, kërci që mbështjell fundin e kockave tuaja gradualisht zhvishet. Pa mbrojtjen e kërcit, kockat fillojnë të prekin njëra-tjetrën dhe ky fërkim mund të shkaktojë dhimbje dhe ënjtje. Me kalimin e kohës nyja mund ta humbë edhe formën normale. Po ashtu, mund të zhvillohen zgjatime të skajet e nyjës. Copëza të kockës ose kërcit mund të ndahen dhe të depërtojnë në brendi të hapësirës së nyjës, që shkakton edhe më shumë dhimbje dhe dëmtim.

Njerëzit me osteoartrit shpesh kanë dhimbje në nyja dhe bëjnë lëvizje të reduktuar. Ndryshe nga disa forma tjera të artritit, osteoartriti prek vetëm nyjat dhe jo organet e brendshme. Artriti reumatoid – lloji i dytë më i shpeshtë i artritit pas osteoartritit – prek edhe pjesët tjera të trupit, përveç nyjave.

Osteoartriti është një sëmundje e cila prek më së shumti njerëzit e moshuar. Edhe moshat më të reja ndonjëherë mund të preken nga osteoartriti, kryesisht për shkak të lëndimit të nyjave

Çfarë e shkakton osteoartritin?

Osteoartriti zakonisht zhvillohet gradualisht me kalimin e kohës. Disa faktorë të rrezikut që mund të çojnë te kjo sëmundje janë:

  • Të qenit i mbipeshë
  • Mosha
  • Lëndimet në nyja
  • Nyjat të cilat nuk janë të formuara si duhet
  • Defektet gjenetike në kërcin e nyjave
  • Tensioni në nyja nga punë të caktuara dhe duke luajtur sport.

Si diagnostikohet osteoartriti?

Osteoartriti mund të prekë çdo nyje, por më së shumti i prek duart dhe nyjat që mbajnë pesha të mëdha si gjunjët, ijën (legenin) dhe unazat e shpinës. Osteoartriti zakonisht ndodh kur kërci dëmtohet ose degjenerohet me kalimin e moshës ose për shkak të përdorimit të tepruar. Për këtë arsye, osteoartriti ndonjëherë quhet edhe sëmundja degjenerative e nyjave.

Shenjat paralajmëruese të osteoartritit janë:

  • Shtangia në një nyje pas ngritjes nga krevati ose pas qëndrimit ulur një kohë të gjatë;
  • Ënjtja ose ndjeshmëria në një ose më shumë nyja;
  • Ndjenjë e gërvishtjes ose zë i një ashti që fërkohet mbi një asht tjetër.

Asnjë test i vetëm nuk mund ta diagnostikojë osteoartritit. Shumica e mjekëve përdorin disa metoda të kombinuara për të diagnostikuar sëmundjen dhe për të përjashtuar problemet tjera. Metodat që përdoren për të diagnostikuar osteoartritin janë:

  • Historia mjekësore
  • Kontrolli fizik
  • Rrezatimi X
  • Teste të tjera si analizat e gjakut ose kontrolli i lëngjeve në nyja.