Studime dhe Hulumtime

Një ekip shkencëtarësh kanë paralajmëruar se të flesh gjatë ditës pas orëve të lodhshme në punë, në fakt nuk ju bën aspak mirë, pasi mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit.

Ata që flenë për më shumë se një orë në ditë kanë 45% më shumë rrezik që të preken nga diabeti i tipit 2 kanë zbuluar shkencëtarët.

Ndërsa marrja e një sy gjumi për një kohë më të shkurtër nuk ka asnjë efekt në rritjen e rrezikut, thuhet në studimin e prezantuar në takimin e Shoqatës Evropiane për Studimin e Diabetit në Mynih të Gjermanisë, shkruan noa.al.

Ekspertët nga Japonia vëzhguan të dhënat nga 21 studime të ndryshme, ku janë përfshirë më shumë se 300 mijë njerëz, dhe zbuluan lidhjen midis gjumit gjatë ditës dhe diabetit të tipit 2.

Pasi përjashtuan faktorët potencialë, ata zbuluan se fjetja për më shumë se 60 minuta në ditë rrit në mënyrë të konsiderueshme rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Ndërsa fjetja për më pak se një orë nuk kishte asnjë ndikim.

“Gjumi gjatë ditës mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit dhe sindromës metabolike”, arritën në përfundim autorët e studimit.