Aktualitete

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët mori pjesë sot në një diskutim me përfaqësues të Komitetit të Shëndetësisë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua për situatën në sektorin e shëndetësisë, reformimin e sektorit, sigurimet shëndetësore dhe implikimet ekonomike të reformës shëndetësore.

Takimi është zhvilluar me kërkesë të Odës Ekonomike Amerikane me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe dialogut midis sektorit publik dhe privat në Kosovës në fushën e shëndetësisë.

Ministri Rrahmani ka njoftuar anëtarët e Komitetit për Shëndetësi të OEA me hapat e bërë në përgatitjen e implementimit të mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore nga 1 janari 2017, krijimin e legjislacionit plotësues për këtë proces, përgatitjen e pakos së shërbimeve shëndetësore spitalore dhe jashtë spitalore, ngritjen e kapaciteteve të Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë, stabilizimin e tregut farmaceutik, hapjen dhe fuqizimin e shërbimeve të reja shëndetësore dhe hapa të tjerë të rëndësishëm për funksionimin e sistemit shëndetësor.

“Maksima jonë ka qenë që të avancojmë  punët e mira të bërë më herët, duke ju dhënë një dinamikë më të madhe proceseve të reja, me theks të veçantë sigurimeve shëndetësore, fuqizimin e sistemit të Informimit shëndetësor, funksionalizimin e Odave të profesionistëve shëndetësore dhe bartjen tek to të kompetencave që janë paraparë në këtë fazë…”, tha Ministri Rrahmani.

Ministri ka folur edhe për proceset në vijim që lidhen me legjislacionin, fuqizimin e shërbimeve shëndetësore, fokusimin e MSh-së edhe në Kujdesin Primar Shëndetësor, specializimet e reja, bashkëpunimin me donatorët dhe projektet e përbashkëta në realizim e sipër, duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë që të adresohen së bashku edhe me komunitetin e sektorit privat shqetësimet dhe brengat e ndryshme, me qëllim të funksionimit më të mirë të sistemit shëndetësor.

Drejtori ekzekutiv i OEA, z. Arian Zeka ka falënderuar Ministrinë për gatishmërinë që të zhvillohet një frymë e re e bashkëpunimit dhe dialogun ndërmjet dy sektorëve, ndërsa ka theksuar se vendosja e një dialogu të këtillë, do të ishte shembull jo vetëm për rajonin, pore dhe në funksion të zgjidhjes së çështjeve të interesit të dyanshëm.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Komitetit të Shëndetësisë kanë adresuar çështje të ndryshme që lidhen më sfidat që ata i kanë në veprimtarinë e tyre dhe janë këmbyer ide rreth mundësisë së zgjidhjes së tyre.