Studime dhe Hulumtime

Truri i personave në moshë të mesme që janë obezë, është i ngjashëm me atë të atyre që janë 10 vjet më të mëdhenj. Është kjo ajo që është zbuluar nga një studim anglez i Universitetit të Cambridge, i botuar në revistën shkencore “Neurobiology of Aging”.

“Truri ynë reduktohet në mënyrë të natyrshme me kalimin e viteve, por studiuesit po mbledhin gjithnjë e më shumë prova, sipas të cilave obeziteti i cili është i lidhur me probleme si diabeti, kanceri dhe sëmundjet kardiake, mund të ndikojë edhe në plakjen e trurit”, thuhet në studim.

Studiuesit anglez analizuan ndikimin e obezitetit në strukturën e trurit të 473 personave me moshë nga 20 deri në 87 vjeç, duke i ndarë pjesëtarët në bazë të peshës, të shëndoshë dhe mbipeshë. Gjatë monitorimit, siç raporton noa.al, u zbuluan diferenca të ndjeshme në volumin e materies së bardhë të trurit, tek personat mbipeshë, krahasuar me ata që ishin me peshë normale, ku u zbulua se personat e shëndoshë kishin një reduktim të ndjeshëm të volumit.

Më tej ekipi i studiuesve analizoi moshën, duke zbuluar se ata që ishin mbipeshë në moshën 50- vjeçare, kishin materie të bardhë njëlloj si një person i dobët 60 vjeç, thënë ndryshe rezultonin 10 vjet më të plakur, shkruan noa.al.

Kryesisht kjo diferencë vihej re pas moshës së mesme. Studiuesit thonë se nevojiten studime të tjera për të zbuluar nëse materia e bardhë mund të kthehet në normalitet në rast humbje peshe.