Këshilla Shëndetësore

Dukuria e njohur si “tinitusi”, ose tingujve kumbues në vesh është shumë normale në SHBA, ku gati 50 milion njerëz e përjetojnë. Për shumicën prej tyre është thjeshtë bezdi dhe asgjë më shumë por nëse kjo ndodh vazhdimisht mund të shkaktohet në problem për gjumin, përqendrimin dhe proceset e tjera ditore. Shpesh zhurmat në vesh janë shkaktar i pagjumësisë dhe i stresit, sipas mjekësisë.

Edhe pse tringëllima shpesh është e lidhur me humbjen e dëgjimit, ajo nuk e shkakton dhe as nuk e nxitë humbjen e dëgjimit. Megjithatë, ekzistojnë disa shkaktarë që e nxisin tringëllimën të ndodhë, në njërën ose tjetrën trajtë të saj. Ekspozimi i gjatë ndaj zhurmave me intensitet të lartë është njëri dhe mund të themi shkaktari kryesor i tringëllimave në vesh. Përveç zhurmave në vesh, mund të shkaktojë edhe humbje të përhershme të dëgjimit, shkruan noa.al.

Një shumëllojshmëri e kushteve dhe sëmundjeve të tjera mund të çojë tek tringëllima në vesh, duke përfshirë:

-Bllokime të veshit për shkak të dyllit apo ndonjë infeksion i veshit. Mund të jetë edhe ndonjë sëmundje e nervit, e tillë si tumor.

-Aspirina, disa lloje të antibiotikëve, anti-inflamatorët, qetësuesit, ilaçet kundër depresionit si dhe medikamentet kininë.

-Procesi i natyrshëm i plakjes së njeriut.

-Kushte të tjera mjekësore si tensioni i lartë, sëmundjet kardiovaskulare, probleme të qarkullimit të gjakut, anemi, alergji, probleme me gjëndrat tiroide apo diabeti.

-Probleme shëndetësore të qafës apo nofullës.

-Lëndime të kokës apo të qafës.

-Tringëllima në vesh vjen edhe nga alkooli, duhani apo droga të tjera por mjekët kanë treguar se edhe lodhja e stresi ndikojnë mjaft shumë. Për shkak të lidhjes me disa sëmundje të rrezikshme, ekspertët thonë se duhet të këshilloheni patjetër me mjekun tuaj nëse keni zhurma të tilla në vesh.