Ministri Rrahmani diskuton në Londër me autoritetet britanike për projekte bashkëpunimi në shëndetësi
Në kuadër të vizitës së tij në Londër, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë zhvilloi dje dhe sot një sërë takimesh me autoritete të këtij shteti nga fusha e shëndetësisë, edukimit shëndetësor dhe fusha sociale, në të cilat është diskutuar për bashkëpunimin midis autoriteteve britanike dhe kosovare në shëndetësi.
I ftuar nga profesori Elias Mossialos, themelues dhe drejtor i Shkollës Londineze të Ekonomisë – Shëndetësi (London School of Econonics- Health (LSE-Health), që është pjesë e Universitetit të Londrës dhe një nga qendrat kryesore kërkimore në Britani, Ministri Rrahmani ka biseduar me z. Mossialos për sfidat në sektorin shëndetësor të Kosovës, nevojat dhe projektet që mund të mbështeten nga LSE përmes ekspertizës profesionale.
Gjithashtu, Ministri Rrahmani ka mbajtur para studentëve të kësaj qendre që vijnë nga vende të ndryshme të botës një prezantim gjithëpërfshirës për sistemin shëndetësor të Kosovës, profilin e këtij sistemi, sfidat dhe hapat që janë duke u ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor.
Pas këtij prezantimi ka pasur një diskutim interaktiv me studentët dhe pjesëmarrës të tjerë në prezantim, lidhur me të dhënat e prezantuara, strategjitë, hapat për reformimin e sistemit të financimit, indikatorët shëndetësor, etj.
Në këtë prezantim në cilësinë e diskutuesit ka marrë pjesë edhe profesori i asociuar i demografisë në LSE, Arjan Gjonca. Ky ekspert i demografisë shëndetësore, ndër të tjera, e theksoi si shumë pozitiv faktin që në kuadër të strukturës së MSh-së ekzistojnë Divizionit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës dhe ai i Shëndetit Mendor, që shumë shtete nuk i kanë.
Ministri Rrahmani është ministri i parë nga Kosova që mban ligjëratë ligjëratë në LSE.
Po në London School of Economics, Ministri Rrahmani është pritur edhe nga Zëvendësrektorin e LSE, znj. Robin Mansall, me të cilën është biseduar për tema që lidhen me avansimin e politikave shëndetësore, me theks të posaçëm në edukimin e gjeneratës së re në fushën e politikave dhe ekonomisë shëndetësore.
Një takim të veçantë Ministri me ekipin e tij, ka zhvilluar në Institutin Kombëtar për Shëndetësi dhe Përsosmëri të Kujdesit-NICE (National Institute for Health and Care Exellence), ku eksperti i lartë i këtij institucioni, Franciz Ruis, ka njohur Ministrin me rolin e këtij institucioni që është një institucion këshillëdhënës në Britani të Madhe dhe projektet që ata zhvillojnë në vende të tjera të botës.
Me theks të veçantë është diskutuar për ekspertizën që ky institucion do të mund të ofronte në hartimin e Protokolleve dhe Udhërrëfyesve klinikë; evaluimin e teknologjisë shëndetësore; hartimin e pakos së benefiteve për sigurime shëndetësore dhe dizajnimin e politikave të ndryshme shëndetësore.
Në kuadër të këtyre takimeve, Ministri është takuar edhe me zyrtarët e lartë të Kujdesit Shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar, organizatë kjo që merret me sigurimin e mbështetjes për organizatat e Mbretërisë së Bashkuar për projektet jashtë shtetit.
Ministri Rrahmani kërkoi nga zyrtarët dhe ekspertët britanezë mbështetje për të adresuar disa nga sfidat kryesore të shëndetësisë në Kosovë, me qëllim që sistemi shëndetësor në Kosovë të jetë në gjendje t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, duke ofruar shërbime shëndetësore sa më gjithëpërfshirëse dhe cilësore.
Gjatë ditës së nesërme ndërkaq, Ministri Rrahmani do të vizitojë Shëndetin Publik të Britanisë së Madhe dhe Qendrën shëndetësore Helix në Imperial College, ku do të pritet edhe nga udhëheqësi i kësaj qendre, Lordi Ara Darzi, onkolog me renome botërore.