Këshilla Shëndetësore

Njerëzit e zënë janë ekspertë në efektivitet. Çdo gjë që bëjnë është e shpejtë, efikase dhe e drejtuar drejt synimit apo cakut. Por kur është fjala për ushqimin, efektiviteti definohet ndryshe.

Ngrënia e shpejtë gati gjithmonë rezulton me ngrënie të tepërt. Kjo, sepse truri juaj nuk është i përqendruar në procesin e ushqimit, por vetëm në mbushjen e stomakut, transmeton Koha.net. Fatkeqësisht, stomaku i plotë nuk do t’i dërgojë automatikisht sinjal trurit që është i mbushur, për ç’arsye vjen deri te stërmbushja e stomakut.

Vetëm pas 20 minutash do të mundeni në të vërtetë të vlerësoni nëse keni ngrënë apo keni ngrënë tepër, ndërsa nëse hani shumë shpejt, ato 20 minuta as që do t’i prisni sepse vetëm pas 5 deri 10 minutash e tërë shujta juaj do të jetë në stomakun tuaj.

Lajmi i mirë është që mund të mësoni të hani më ngadalë, duke u fokusuar në ndjenjën e ngopjes dhe jo në pastrimin e pjatës.

Ushtroni
Ngrënia shumë e shpejt është shprehi të cilën definitivisht duhet ta ndërprisni. Ushtroni shfrytëzimin e mendjes derisa hani. Po ashtu koordinoni kohën tuaj ashtu që shujtat të mund t’i hani ngadalë dhe qetë. Disa njerëzve u ka ndihmuar kur në vende të dukshme kanë vënë letra të vogla që i kanë rikujtuar për qëllimin – pra ngrënien e ngadaltë. Kjo shprehi zakonisht zhvillohet në periudhën prej 3 deri 4 javësh.

Hani në tavolinë
Kur të jeni të ulur në tavolinë për të ngrënë, truri juaj do të marrë sinjalin që është koha për shujtë të qetë. Nëse hani derisa jeni në lëvizje, shumë shpejt do të humbni konceptin e asaj se sa keni ngrënë. Më e keqja është që derisa ju hani në lëvizje, truri juaj nuk është aspak i vetëdijshëm që është koha për shujtë, prandaj pas një kohe do të dërgojë përsëri sinjale të urisë.

Hani porcione të vogla
Pjata e pastër ka aftësinë e pabesueshme për t’ju rikujtuar që keni mbaruar me ushqimin. Prandaj porcionet e mëdha ju bëjnë keq sepse do të hani derisa pjata nuk pastrohet, apo thënë më mirë, spastrohet. Merrni porcione më të vogla në pjatë ose përdorni pjata më të vogla. Te disa njerëz metoda e tillë nuk funksionon, por te disa është treguar e suksesshme. Provoni dhe shikoni!

Largoni pengesat
Nëse lexoni dhe shikoni televizor derisa hani, nuk i kushtoni vëmendje ushqimit të cilin e futni në gojë. Me siguri jeni shumë të zënë dhe duhet që t’i bëni njëkohësisht shumë gjëra, por tentoni t’i rezistoni kësaj të paktën 15 minuta për të ngrënë në mënyrë normale dhe të qetë. Në fund të fundit, 15 minuta ndonjëherë nuk do të thotë asgjë, ndërsa organizmit do të bëjë mirë.

Përtypni
Ndoshta ju duket që e përtypni ushqimin, por ka shumë mundësi që në disa momente vetëm e përpini. Futni kafshata më të vogla dhe ushqimin përtypeni me kujdes. Kushtoni vëmendje në shijen e ushqimit, sepse atëherë edhe vetë do të doni ta përtypni sa më gjatë çdo kafshatë që me të vërtetë të mundeni të shijoni secilën syresh.

Pini
Një nga mënyrat më efikase për të arritur ngrënien e ngadaltë është që gjatë shujtës të pini ujë. Kjo nga ju kërkon që të ndalni ngrënien dhe t’i përkushtoheni pirjes. Përveç që do të hani më ngadalë, do të fusni edhe më pak ushqim, sepse uji do t’ju ndihmojë të krijoni më shpejt ndjenjën e ngopjes.

Bisedoni
Sigurisht që keni vetëm një gojë. Nëse do ta përdorni për bisedë gjatë ushqimit, do të thotë që do të hani më ngadalë. Hani në shoqëri, me miqtë ose familjen, transmeton Koha.net. Flisni dhe shoqërohuni. Ju do të relaksoheni, nuk do të mendoni për ditën dinamike dhe, përveç kësaj, edhe do të hani më ngadalë.

Mos hani menjëherë kur jeni shumë të uritur
Kur e keni ndjenjën e urisë, probabiliteti më i madh është që do të hani më shumë se ç’duhet, ndërsa jo shumë gjatë pas kësaj do të jeni përsëri të uritur. Pini ujë dhe hani një grusht drithëra. Vetëm pas 15 deri 20 minutash filloni të hani. Në këtë mënyrë do të hani sasinë normale të shujtës dhe nuk do të hani më shumë se ç’duhet./llapinfo./