Aktualitete

Prishtinë, 8 qershor 2016

Në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt sot një takim midis përfaqësuesve të lartë të Ministrisë dhe Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim,  Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë, e kanë njoftuar Komisionin me proceset aktuale që janë duke u zhvilluar në shëndetësinë kosovare, me theks të veçantë zbatimin e legjislacionit në shëndetësi dhe procesin e reformave shëndetësore.

Duke e vlerësuar bashkëpunimin e mirë me Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, Ministri Rrahmani ka kërkuar përkrahjen e tyre për plotësimin e legjislacionit në shëndetësi, i ka njohur ata me sfidat konkrete që i ka sistemi shëndetësor si dhe ka përkrahur procesin e monitorimit të zbatimit të Ligjit të Shëndetësisë dhe të ligjeve të tjera të sektorit nga ana e këtij Komisioni.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, e ka njoftuar Ministrin Rrahmani se gjatë dy muajve të ardhshëm ky komision do të bëjë një monitorim të zbatimit të Ligjit të Shëndetësisë, pas të cilit monitorim do të dal me një raport dhe rekomandime për furnizimin e zbatimit të tij.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Ministrisë i janë përgjigjur çdo interesimi të anëtarëve të këtij komisioni parlamentar lidhur me legjislacionin primar dhe atë sekondar, proceset që po zhvillohen nga Ministria , nevojat dhe sfidat në përmbushjen e përgjegjësive dhe rolit të saj në sistemin shëndetësor./msh/