Dieta

Përveç orëve të shumta me ushtrime për t’u dobësuar, mjaftojnë edhe disa truke të thjeshta, por me rezultate të sigurta! Ja se cilat janë ato…

Nuk është e mjaftueshme që t’u dedikoheni vetëm aktiviteteve argëtuese, si vallëzimi, i cili mund t’ju bëjë të digjni kalori pa shumë përpjekje! Ju së pari duhet të kryeni detyrat e përditshme sa më mirë të jetë e mundur, duke i kthyer ato në fuqi dhe metoda të pazakonta për të humbur peshë. Bërja e pazareve në këmbë, ngjitja dhe zbritja e shkallëve, lëvizjet në një vend, janë strategji mjaft të mira që mund t’ju ndihmojnë të digjni kalori pa bërë sport, duke shmangur ushtrimet e lodhshme!

Ngjitni dhe zbritni shkallët

Ne të gjithë e dimë se ngjitja dhe zbritja e shkallëve ndihmon për t’u dobësuar, për të forcuar muskujt e të gjithë trupit, por megjithatë vazhdojmë t’i shmangim ato, duke preferuar ashensorin. Mos ndoshta heqja “dorë” nga komoditetet e përditshme është një gjë e vështirë për ju, dhe ushtrimet sfilitëse janë të duhurat? Në fakt, më mirë do të ishte që të ngjisni dhe të zbrisni shkallët duke filluar që nga ky moment, për të marrë sa më shumë përfitime për trupin dhe shëndetin tuaj në përgjithësi.

Bëni punët e shtëpisë

Punët e shtëpisë janë aleat i linjave tuaja! Marrja e pluhurave, pastrimi dhe rregullimi i dhomave, larja e dritareve, e enëve, nderja e rrobave, hekurosja e tyre etj., janë të gjitha aktivitete që vënë në lëvizje trupin tuaj, duke ju lejuar të digjni shumë kalori. Është rasti të viheni në “punë”, nëse dëshironi të dobësoheni pa bërë asnjë aktivitet fizik!

Bëni pazar në këmbë ose me biçikletë

Nëse supermarketin ku bëni zakonisht pazaret nuk e keni shumë larg shtëpisë, atëherë mund të përfitoni duke shkuar në këmbë ose me biçikletë! Nuk ka asgjë më të mirë se ecja për të djegur kalori, për të forcuar muskujt, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe rrugët e frymëmarrjes. Me pak fjalë, bërja e pazareve në këmbë ose me biçikletë është një sport i vërtetë për jetën tuaj!

Lyeni muret

Doni të lodheni vërtet? Ky është pikërisht aktiviteti që bën për rastin tuaj! Nëse do të lyeni muret e shtëpisë atëherë do të digjni 400 kalori në një orë. Muskujt e krahëve do të tonifikohen, po ashtu edhe ata të shpinës dhe të shpatullave!

Shkoni në punë në këmbë

Sigurisht, nëse vendi i punës është shumë kilometra larg nga shtëpia, do të jetë e vështirë për të shkuar në këmbë, ndaj dhe përdorni transportin publik. Por nëse nuk e keni dhe aq shumë larg, nuk ka asgjë më të mirë sesa një shëtitje si në vajtje ashtu edhe në kthim! Rezultatet do të jenë mjaft të qarta që në javën e parë! Pa marrë parasysh se ecja e përditshme zgjat pashmangshmërisht jetën!

Argëtohuni me sportet virtuale

Sportet virtuale janë ideale për të humbur peshë pa bërë palestër. Nëse do të luani atëherë gjithçka tjetër do të bëhet më e lehtë, koha kalon shumë shpejt dhe lodhja nuk ndihet fare! Por nëse nuk e keni akoma një lojë të tillë, përse nuk ia kërkoni dashurisë tuaj si dhuratë për ditëlindje? Ai me siguri do të bjerë dakord… meshkujt çmenden për videolojërat!

Drejtohuni kuzhinës

Kush e ka thënë se kuzhina vetëm ju shëndosh? Në të vërtetë, qëndrimi në kuzhinë pa e ekzagjeruar, kontribuon në djegien e shumë kalorive. Duke qëndruar në këmbë dhe duke përgatitur receta që përfshijnë shumë përpjekje, si bërje petash byreku ose picë, ju do ta ndieni vërtet humbjen e kalorive!

Bëni dashuri

Kjo ndoshta është dieta më e dashur për meshkujt: të dobësohen duke bërë dashuri! Efektivisht bëhet fjalë për “aerobi”, e cila ndihmon në djegien e shumë kalorive! Ndaj nuk ju mbetet gjë tjetër veçse t’i dedikoni kohë këtij “aktiviteti” më shpesh!

Përkushtojuni blerjeve

A e dinit se tri orë blerje djegin 385 kalori? Këtë e tregon një sondazh i “Daily Mail”, i realizuar për dyqanet angleze të Debenhams. Ja pra më në fund keni një arsye më shumë për të bërë blerje dhe nëse partneri do t’ju fajësojë, ju mund të përgjigjeni fare thjesht: “Zemër, këtë gjë e bëj për të mbajtur linjat”!

Kërceni

Po ashtu edhe kërcimi është aktivitet ideal për t’u dobësuar dhe për t’u tonifikuar. Kënaquni, në shtëpi ose në diskotekë me miqtë pak rëndësi ka, kaloritë e djegura janë gjithmonë të njëjtat, pak a shumë 700 çdo orë.