Aktualitete

Ministri i Shëndetësisë  Imet Rrahmani tha se të arriturat në fushën e Infermierisë në Kosovë janë një storie suksesi për shëndetësinë kosovare, ndërsa fakti që komuniteti i Infermierisë në Kosovë  është shumë i gjerë përfshirë sektorin publik dhe atë privat, tregon se roli i tyre në sistemin shëndetësor është i domosdoshëm dhe në asnjë moment i kontestuar

Ministria e Shëndetësisë – Divizioni i Infermierisë, në bashkëpunim me Odën e Infermierisë, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë të Kosovës (OIK), të mbështetur nga UNFPA-Zyra në Prishtinë, shënuan sot në Prishtinë Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, me moton: “Infermierët: Forcë për ndryshim – Përmirësimi i aftësive ripërtëritëse në sistemin shëndetësorë”.

Ministri i Shëndetësisë  Imet Rrahmani tha se të arriturat në fushën e Infermierisë në Kosovë janë një storie suksesi për shëndetësinë kosovare, ndërsa fakti që komuniteti i Infermierisë në Kosovë  është shumë i gjerë përfshirë sektorin publik dhe atë privat, tregon se roli i tyre në sistemin shëndetësor është i domosdoshëm dhe në asnjë moment i kontestuar.

“Duke u pajtuar edhe me moton e sivjetme të Ditës Ndërkombëtare së Infermierisë, themi që Infermieria duhet të jetë forcë për ndryshim, ndërsa shteti ynë po krijon kushte dhe mundësi që ky komunitet t’i arrijë objektivat e veta profesionale në kuadër të sistemit shëndetësor”, tha Ministri Rrahmani, duke uruar infermierët për ditën e tyre.

Znj. Fetije Huruglica, shefe e Divizionit të Infermierisë në MSh tha se sipas Këshillit Ndërkombëtar të Infermierisë, infermierët duhet të jenë pjesë edhe e hartimit të politikave shëndetësore dhe MSh ka krijuar mundësi që përfaqësuesit e këtij komuniteti të marrin pjesë në hartimin e legjislacionit, ndërkohë që mbështetja për infermierët edhe nga stafi menaxherial, u mundëson atyre që të jenë çdo herë në shërbim të popullatës dhe ruajtjes së shëndetit të saj.

Kryetari i OIK-ut, Naser Rrustemi ka uruar Infermierinë për Ditën Ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se ky komunitet, po punon në arritjen e objektivave të veta, ndërsa OIK po përgatitet për të marrë më shumë përgjegjësi e kompetenca në zbatimin e përgjegjësive të saj.

Dr. Visare Mujko-Nimani, zyrtare nacionale e Programit të UNFPA-së në Kosovë, tha se infermierët bëjnë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në sistemet shëndetësore.

“Rëndësia e infermierisë në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë edhe nivelet e qeverisjes dhe të politikave është e njohur në forcimin e sistemeve shëndetësore”, tha ajo, duke theksuar se nevoja për sisteme të forta dhe fleksibile shëndetësore, të afta për t’iu përgjigjur ndryshimeve të shpejta, shihet në thelbin e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG).

Për rolin e Qendrës së Edukimit të Vazhduar Infermieror (QEVI) në Kujdesin Shëndetësor ka bërë një prezantim Koordinatorja Fekrije Hasani, ndërsa me mirënjohje post mortum për kontributin e dhënë në Infermierinë kosovare u nderua znj. Gjylgjyzare Karaxhija – Xharavina.