Aktualitete

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani diskutoi dje me anëtarët e Grupit punues për vlerësim të cilësisë së shërbimeve pediatrike për Raportin nga vizitat rishqyrtuese të këtij grupi lidhur me cilësinë e kujdesit spitalor për fëmijët në Kosovës, të gjeturat dhe rekomandimet për përmirësimin e këtyre shërbimeve.

Në këtë takim, Ministri Rrahmani ka falënderuar Ekipin vlerësues për procesin e realizuar me mbështetjen edhe të agjensioneve të KB në shëndetësi (OBSH, UNICEF dhe UNFPA) dhe ka shprehur bindjen se të gjeturat gjatë vizitave mbështetëse mbikëqyrëse dhe rekomandimet e dhëna do ta ndihmojnë Ministrinë, por edhe institucionet shëndetësore të kujdesit spitalor për fëmijë që të rrisin cilësinë e shërbimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjen në një nivel më të lartë menaxhimin spitalor.

Vizitat mbikëqyrëse të realizuara gjatë vitit 2015 në QKUK dhe spitalet e Kosovës kanë adresuar disa çështje si: plotësimin e dosjeve të pacientëve, menaxhimin e brendshëm, furnizimin me barna sidomos për emergjencat pediatrike, aplikimin e antibiotikëve, krijimin e ambienteve miqësore për fëmijë, komunikimin me pacientët dhe promovimin shëndetësor.

Si rezultat i këtyre vizitave mbështetëse, përveç përmirësimeve evidente, është bërë edhe adaptimi i Librit të Xhepit, është hartuar Karta e të Drejtave të Fëmijëve në Spital si dhe janë bërë trajnime për zbatimin e njohurive dhe praktikave që i parasheh ky libër.