Aktualitete

Përfaqësues të Fondacionit amerikan “Project Hope” dhe të Shoqatës “Abbvie”janë pritur në Ministrinë e Shëndetësisë nga zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Izet Sadiku, bashkë me drejtorin e SHSKUK-së, dr. Curr Gjocaj dhe shefin e Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë, dr. Arsim Qavdarbasha.

Në këtë takim ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Shoqatës së Fibrozës Cistike dhe klinicistë që merren me trajtimin e kësaj sëmundje në Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së, u diskutua për bashkëpunimin me “Project Hope”, si njërën prej organizatave që ka dhënë kontribut të madh në shëndetësinë kosovare në mbështetjen me donacione, kryesisht me citostatikë dhe pajisje mjekësore, së fundi edhe barna për trajtimin e fibrozës cistike.

Sadiku ka falënderuar “Project Hope” për kontributin e vazhduar në shëndetësinë kosovare dhe vazhdimin e traditës së mirë të bashkëpunimit që për rezultat ka pasur sigurimin e terapisë së vlefshme për pacientët kosovarë.

Ndërsa drejtori i SHSKUK-së, tha se bashkëpunimi me këtë fondacion e ka ndihmuar këtë shërbim në përmirësimin e trajtimit në disa fusha, ndërkohë që sigurimi i terapisë për pacientët me fibrozë cistike, do t’ua lehtësojë atyre trajtimin.

Dr. Burbuqe  Krasniqi, drejtoreshë e Shoqatës së Fibrozës Cistike ka njoftuar se shoqata merret me aktivitete që lehtësojnë trajtimin e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje, derisa ka falënderuar MSh-në dhe Project Hope që i kanë dalë në ndihmë shoqatës.