Studime dhe Hulumtime

 

Një pilulë e re do të mund të rritë fuqinë e spermës për 70%, dhe do të ofrojë shpresë për çiftet që nuk mund të bëjnë fëmijë, besojnë shkencëtarët.

Përbërësi i gjendur në domate – që quhet likopen dhe që është përgjegjës për ngjyrën e kuqe të domateve – është tani në fokus të një studimi në Universitetin e Sheffieldit.

Një ekip nga ky universitet, i udhëhequr nga profesori Allan Pacey, një nga ekspertët më të mirë britanik në çështjet e infertilitetit, është duke rekrutuar 60 meshkuj të shëndetshëm për të marrë pjesë në një studim tre-mujor.

Studimi vjen pasi Britania përballet me një epidemi të çifteve pa fëmijë, ku një në gjashtë çifte janë pa fëmijë për shkak të pamundësisë për të bërë.

Gjysma e problemit besohet se është duke u shkaktuar si pasojë e kualitetit të dobët të spermës. Pjesëmarrësit në studim do t’i nënshtrohen një terapie me kapsulat e reja, ku do të marrin dy herë në ditë kapsula të tilla.

Profesori Pacey tha: “Studime të ndryshme nëpër botë kanë treguar se likopeni ka veti antihelmuese, dhe që ai është shumë i mirë për përmirësimin e kualitetit të spermës dhe ne dëshirojmë që këtë ta studiojmë më tutje”.

“Prodhimi i spermës merr kohë tre muaj. Ky studim do të na tregoj nëse likopeni përmirëson kualitetin e spermës duke reduktuar dëmtimin e ADN-së”, shtoi ai.

Një studim i publikuar kohët e fundit nga specialistët e fertilitetit të klinikës më prestigjioze në Amerikë – Klinka Cleveland në Ohio – tregoi se likopeni mund të rrisë kualitetin e spermës për 70%.

Profesori Pacey thotë se ka shumë studime të tjera që tregojnë gjithashtu se likopeni mund të ngadalësojë avancimin e kancerit të prostatës./express.