Aktualitete

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka dorëzuar sot në Klinikën eë Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, 5  fotollampa, pajisje këto esenciale për të trajtuar verdhëzën tek foshnjat.

Verdhëza është një problematikë e shpeshtë tek foshnjat, që shkaktohet për shkak të rritjes së nivelit të bilirubinës në gjak. Rreth gjysma e të porsalindurve të lindur në kohë dhe 75% e foshnjave të lindura para kohe manifestojnë verdhëz në ditët e para të jetës. Fototerapia është një mënyrë joinvazive e trajtimit të verdhëzës e cila realizohet me anë të pajisjeve të quajtura fotollampa.

Drejtoresha e kësaj klinike, dr/Mynavere Hoxha tha se ndihma që i vjen nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë përmes shumë miqve e donatorëve të tij, po e lehtëson punën në Klinikën e Neonatologjisë.

“Ne ballafaqohemi çdo ditë me nevoja të ndryshme dhe asnjëherë s’na humb vullneti për t’punuar në shpëtimin e më të vegjëlve tanë”, tha Hoxha.

Ndërsa, Arta Hasanaj, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, tha se janë të përkushtuar ndaj ofrimit të ndihmës për shpëtimin e jetës së fëmijëve dhe se gjithmonë fokusohen në zgjidhjen e problemeve që i adresohen nga Klinika.

“Është kënaqësi të bëjmë dorëzimin solemn të fotollampave sot dhe kjo na motivon të punojmë edhe më shumë për të përmbushur nevojat e kësaj Klinike”, tha Hasanaj.

Blerja dhe dorëzimi i fotollampave sot bëhet e mundur falë donacioneve të mbledhura nga ngjarjet për ngritje fondesh të vitit 2015: “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” dhe “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët.”

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjat e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.

Image
Image
Image
Image