Aktualitete

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me A-IHCN (Austrian Integrated Health Care Netëork) sot në Prishtinë u organizua tryeza e rrumbullakët “Kosova-Austrian Health Roundtable” me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve shëndetësore austriake dhe kosovare në shëndetësi.

Në këtë tryezë pjesëmarrës kanë qenë menaxherët më të lartë të sistemit shëndetësor në Kosovë si dhe ekspertë të Rrjetit të Integruar Austriak të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa në hapje të tryezës ka qenë edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovës, Johan Brieger.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, sipas një komunikate për media citohet të ketë thënë se ndërtimi i një sistemi shëndetësor efikas, të mbështetur në resurse të qëndrueshme njerëzore dhe me një financim adekuat të qëndrueshëm, që siguron qasje të barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët me kosto efektive shëndetësore, është synimi i Qeverisë së Kosovës në këtë mandat.

“MSh gjendet në një fazë të rëndësishme të zbatimit të reformës së sistemit shëndetësor, e cila reformë do të konsistojë në funksionalizimin më të mirë të sistemit shëndetësor, ngritjen e efikasitetit të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës së hapësirave dhe mjeteve të funksionimit, funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore si dhe zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale në kuptim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies së strukturave menaxheriale”, tha ministri Rrahmani.

Themelimi dhe funksionalizimi i Fondit Publik të Sigurimeve Shëndetësore, funksionalizimi i departamentit të kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë, furnizimi i rregullt me material të nevojshëm shpenzues mjekësor i këtyre departamenteve, implementimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH), fuqizimi dhe përmirësimi i sektorit farmaceutik, janë synimet tjera që ka qeveria e Kosovës sipas ministrit Rrahmani.

Për këto projekte ka folur edhe ambasadori austriak në Kosovë, Johan Brieger, i cili ndër të tjera ka vlerësuar lart bashkëpunimin midis Kosovës e Austrisë në shumë fusha përfshirë edhe fushën e shëndetësisë dhe atë sociale, duke theksuar se falë këtij bashkëpunimi janë realizuar projekte të përbashkëta në fushën e edukimit të vazhduar profesional midis Gracit të Austrisë dhe QKUK-së, projekte për kujdesin dhe mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve, në ngritjen e kapaciteteve shëndetësore, projekte për personat me aftësi të kufizuara.

Hapat e ardhshëm të bashkëpunimit, sipas Ambasadorit Brieger, duhet të i ndihmojnë për të marrë drejtimin e duhur dhe një rol kritik për sfidat dhe krijimin e një lidershipi të qëndrueshëm në avancimin e shëndetësisë.