Aerobik & Yoga

 

Së fundi ekspertët gjithnjë e më shumë paralajmërojnë që sporti nuk është për çdokënd, që treningët intensivë më shumë bëjnë dëm se sa dobi dhe që shumica e njerëzve duhet të harrojnë maratonën.

Edhe pse mediet theksojnë që sporti është i shëndetshëm dhe i nevojshëm, ndërsa shumë shoqëri sigurimi me çmime të ulëta u ofrojnë klientëve disa aktivitete fizike, ekspertët në kohën e fundit gjithë e më shumë shprehin dyshimin në saktësinë e këtij mendimi të përhapur gjerësisht.

Nuk është fjala vetëm për rreziqet që i prekin sportistët profesionistë, siç janë lëndimet e ndryshme, çrregullimet në ushqim ose problemet e ndryshme psikike për shkak të mbingarkesës.

Siç pohon profesori i Shkollës së Lartë për Sport në Köln, Ingo Froböse, sporti bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për ata që merren me të në mënyrë amatore. “Arsyeja qëndron në raportin tonë ndaj tij. Shumë e teprojnë me treningë dhe keqpërdorin për të kaluar kufij të rinj. Problemi tjetër është që sporti gjithnjë e më pak është duke u bërë lloj i aktivitetit të lirë, diçka me çka merremi për t’u argëtuar, duke u bërë diçka që shoqëria pret nga ne”, tha Froböse.

“Në këtë mënyrë në organizëm fillojnë të shfaqen problemet dhe vështirësitë, të cilat pa sport nuk do të paraqiteshin”, shtoi ai.

Shëtitja e moderuar në ajër të pastër është e shëndetshme nëse nuk është shumë e lodhshme, transmeton koha.net. Froböse konsideron që aktivitetet fizike megjithatë janë të nevojshme, por e rëndësishme është të qëllohet masa e duhur.

“Para 15 vitesh kemi konsideruar që është gjë e shëndetshme nëse rregullisht ushtrohet tri herë në javë, të paktën gjysmë ore. Në ndërkohë, ky mendim është vjetruar. Sot e dimë që gjatë javës kemi nevojë për të paktën pesë herë nga 30 minuta të çfarëdo lloji të lëvizjeve.

E rëndësishme është të kemi parasysh që nuk bëhet fjalë për treningët intensivë pesë herë në javë, por për ecjen në këmbë deri në punë, punën në kopsht, ngjitjen nëpër shkallë”, tha profesori.

Rrezikun më të madh, sipas mendimit të ekspertëve, e paraqet maratona shumë e popullarizuar. “Edhe këtu bëhet fjalë për mosrespektimin e kufijve personalë. Shumë që vrapojnë në maratonë, pas vrapimit janë në prag të sulmit në zemër, ndërsa pasqyra e tyre e gjakut edhe një muaj më vonë është në gjendje katastrofale”, tha Froböse dhe apelon: “Më mirë është të lëvizni pak, pa lodhje dhe pa djersitje!”./telegrafi.