Aktualitete

Në shënimin e Ditës Botërore të tuberkulozit u bë e ditur se krahasuar me një vit më parë, gjatë vitit 2015 në Kosovë janë shënuar 64 raste më pak me TB, ndërkohë që për të gjithë pacientët terapia ka qenë falas dhe e siguruar gjatë gjithë vitit 

 

Viti 2015 ka qenë vit i suksesshëm në luftën kundër tuberkulozit, ndërsa krahasuar më një vit më parë, numri i të prekurve nga kjo sëmundje ngjitëse ka qenë për 64 raste më pak.

Kështu u  tha dje në shënimin e Ditës Botërore të Tuberkulozit, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHP, OBSH, OJQ KeA, Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, Fondi Global dhe CDF, partnerë në implementimin e Programit të tuberkulozit në Kosovë.

Në këtë ditë që sivjet shënohet me moton: “Së bashku ta mundim tuberkulozin”, u tha se gjatë vitit 2015 në Kosovë janë regjistruar 770 raste të TB, me një incidencë prej 41. 6 të prekurve në 100.000 banorë, apo 64 rate më pak se në 2014 kur në Kosovë ishin regjistruar 834 të sëmurë dhe incidencë 46 /100.000 banorë, që përbën një ulje të konsiderueshme të rasteve me këtë sëmundje.

Ministri i Shëndetësisë Dr. Imet Rrahmani tha se falë përkushtimit të MSH-së dhe partnerëve në implementimin e Programit të TB-së (Fondi Global, CDF, IKSHP, OBSH, KeA…) dhe angazhimit të punonjësve shëndetësor, Kosova ka shënuar sukses në trajtimin e tuberkulozit, duke mbuluar të gjithë të prekurit me terapinë e nevojshme falas gjatë tërë viti, sigurimin e aparaturave për diagnostikim të shpejtë si dhe trajtimit edhe të rasteve që janë rezistente në terapinë e gjeneratës së parë antituberkulare. “Nga kjo përkrahje, për herë të parë është  planifikuar në buxhet vlera prej 539.000 euro për tre vitet: 2016-2018 si përkrahje e Programit dhe pacientëve me TB”, theksoi Ministri Rrahmani, duke shtuar se prej vitit të ardhshëm, MSh do të fillojë të blejë vet barnat antituberkulare, reagjensat për trajtimin e të prekurve dhe aparateve të tjera diagnostiko, ndërkohë që falënderoi Fondin Global për mbështetjen e deritanishme të këtij programi përmes granteve.

Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së tha se ky institucion e përcjell në vazhdimësi situatën epidemiologjike me tuberkuloz dhe merret me parandalimin e kësaj sëmundjeje akoma vdekjeprurëse dhe shumë të përhapur në botë. “Arsyeja e shënimit të kësaj dite është thirrja për aksion për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do të përkrahin eliminimin e TB në Kosovë”, tha Ramadani.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë tha se përpjekjet për t’i dhënë fund epidemisë së TB-së duhet të jenë ndër-diciplinare dhe ndër-sektoriale dhe mund të ndihmojnë në përshpejtimin e përparimit drejt synimeve të qëndrueshme zhvillimore. “Kosova ka bërë përparime në vitet e fundit në adresimin e TB-së. Përkundër këtij përparimi numri i rasteve me TB mbetet mbi mesataren e Rajonit Evropian, andaj duhet bërë përpjekje qënë vitet në vazhdim drejt arritjes së synimeve të Programit për Kontrollin e TB-së.

Znj. Nermin Mahmuti, drejtoreshë për Kosovë e CDF-it, marrëse primare e Grantit të FG për Kosovë tha se programi ka pasur sukses falë bashkëpunimit të mirë më MSH-në, IKSHP_në, OBSH-në, KeA dhe partnerët e tjerë, ndërsa lajmi i mirë, theksoi ajo është se  prej muajit prill 2015 ka filluar aplikimi për Grantin e ri pranë Fondit Global dhe në muajin Tetor 2015 pas një pune intensive të grupit punues si dhe konsulentëve ndërkombëtarë erdhi përgjigja pozitive për fitimin e grantit për periudhën 2016-2018, në vlerë prej 2.160.000 eurove që mbështet Programin në fushat kryesore si blerja e barnave Antituberkulare, reagjensave për laboratorë, diagnostikimin dhe trajtimin e pacienteve me TB si dhe në ngritjen e kapaciteteve në infrastrukturë, diagnostikim  të shpejte e të hershem  dhe resurset njerëzore dhe profesionale.

Koordinatorja Kombëtare për TB, dr. Majlinda Gjocaj, prezantoi një ecuri të rasteve të TB-së në Kosovë përgjatë viteve, ku vërehet një rënie e madhe, pasi që më 2001 numri i të prekurve me TB në Kosovë ishte 1674 duke rënë vazhdimisht, deri në 770 për vitin 2015. Ajo dhe dr. Xhevat Kurhasani, drejtor i KEA kanë njoftuar se në Kosovë ka 5 pacientë me Në Kosovë ka gjithsej 5 pacientë me MDR –Multi Drug Rezistence dhe vetëm një rast të ri me MDR për vitin 2015.

Gjithashtu, u bë e ditur se në Repartin për MDR në Spitalin Regjional të Pejës,  janë trajtuar edhe 3 raste me TB MDR  nga Republika e Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe shërbimeve të ndërsjella për pacientët në të dy vendet.

U vlerësua si fakt shumë domethënës dhe pozitiv që gjatë vitit 2015 Kosova nuk e ka asnjë rast te regjistruar të bashkë-ekzistencës me HIV, çka në fakt është problemi madhor në vendet e tjera .

Me ndihmën e OBSH-së, sot u bë prezantimi edhe i Doracakut: Standardet ndërkombëtare të kujdesit për tuberkulozin”, i përkthyer në gjuhën shqipe.