Këshilla për bebet

Të porsalindurit pushojnë më shpejt së qari nëse dikush i qetëson duke kënduar, sesa duke u folur. Ata gjithashtu e ruajnë qetësinë për një kohë më të gjatë në rastin e këndimit, thonë studiuesit.

Nëse dëshironi një bebe të qetë, nuk mjafton t’i flisni, por duhet t’i këndoni. Kërkuesit zbuluan se të porsalindurit qëndrojnë më të qetë për dy herë më shumë kur dëgjojnë një këngë – edhe pse mund të duket e çuditshme – sesa kur dëgjojnë dikë t’i flasë.

Studimi tregon se bebet përfshihen nga muzika, duke sugjeruar se kapaciteti i tyre mendor magjepset nga muzika, sikurse dhe të rriturit.

Profesoreshë Isabelle Peretz nga Universiteti i Montrealit tha: “Shumë studime kanë analizuar se si të kënduarit dhe të folurit ndikojnë te vëmendja e të porsalindurve, por ne donim të dinim si ndikonin ato te vetëkontrolli emocional i bebes”.

“Vetëkontrolli emocional nuk është i zhvilluar te bebet dhe ne besojmë se të kënduarit i ndihmon bebet dhe fëmijët të zhvillojnë këtë kapacitet”, shtoi ajo.

Skuadra e psikologëve tha se zbulimet janë të rëndësishme, sepse nënat dhe në veçanti nënat perëndimore, priren të flasin më shumë sesa t’u këndojnë fëmijëve, duke krijuar mangësi në efektet pozitive të të kënduarit.

Ata shtuan se të kënduarit mund të reduktojë ndjenjën e zemërimit që përjetojnë disa prindër.

“Megjithëse sinjalet e pakënaqësisë te fëmijët zakonisht bëjnë që prindërit të përpiqen t’i qetësojnë ata, te disa prindër, kjo mund të nxisë zemërim dhe acarim, duke çuar në përgjigje jo të ndjeshme dhe në rastet më të këqija, në neglizhencë dhe abuzim me fëmijët”, tha profesoreshë Peretz.

Ajo shpjegoi se ndërsa të kënduarit është më i mirë, prindërit që nuk ndihen rehat me këtë, gjithashtu mund të luajnë një pjesë vokale muzikore te bebet.

Për studimin, 30 bebe të shëndetshme nga mosha gjashtë deri në nëntë muaj, dëgjuan regjistrime të fjalëve të bebeve, të të rriturve dhe dëgjuan këngë në gjuhën turke, me të cilën ata ishin jo familjarë.

Kërkuesit i lanë regjistrimet të dëgjoheshin, derisa bebet shfaqën ‘fytyrën e të qarës’ karakterizuar nga ulja e vetullave, varja e buzëve, hapja e gojës dhe ngritja e faqeve, që është shprehja më e zakonshme e fytyrës në raste stresi.

Mariève Corbeil, autore e studimit që u publikua në revistën “Të porsalindurit” tha: “kur dëgjonin këngë turke, bebet qëndronin në gjendje të qetë për mesatarisht nëntë minuta. Në rastin e të folurit, bebet dëgjonin për vetëm katër deri në pesë minuta.

Në rastin kur fliste një i rritur, ata qëndronin të qetë për nën katër minuta, ndërsa kur fliste një bebe, më shumë se katër minuta.

Mungesa e shpërqendrimit të konsiderueshëm në rastin e dy llojeve të të folurit (bebe dhe të rritur) i befasoi shkencëtarët. Ata testuan atëherë zbulimet e tyre, duke i ekspozuar të porsalindurit ndaj regjistrimit të nënave, teksa i këndojnë në gjuhë të njohur dhe pati të njëjtin efekt.

Profesoreshë Peretz tha: “zbulimet tona lënë pak dyshim rreth efikasitetit të të kënduarit për të mbajtur qetë të porsalindurit”.

Kërkuesit shpjeguan se njerëzit janë natyrisht të magjepsur nga muzika dhe se te të rriturit dhe te fëmijët e një moshe më të madhe, kjo zakonisht shoqërohet me një lëvizje të këmbës dhe tundje të kokës.

Megjithëse të porsalindurit nuk shfaqën të njëjtën sjellje, rezultatet e kërkimit sugjeruan se bebet u shpërqendruan nga muzika, që të sugjeron se kanë kapacitet mendor për të sinkronizuar, sipas kërkuesve.

Të kënduarit, jo vetëm për bebet

“Të kënduarit e thyen akullin, ndihmon njerëzit të lidhen më shpejt sesa aktivitetet e tjera”, ka zbuluar një tjetër studim. Burrat dhe gratë që merrnin leksione këndimi në shkolla nate, bëheshin më shpejt miq sesa ata që bënin lëndë të tjera.

Kërkuesit nga Universiteti i Oksfordit thonë se këndimi mund të jetë mënyra e natyrës për të ndihmuar grupet e mëdha të njerëzve të bëhen bashkë.

Ata shtuan se mund të mos jetë rastësi që këndimi në grup ose koret janë të preferuara nga feja. Ata e bënë zbulimin, pasi u kërkuan njerëzve të këndonin, të shkruanin apo të bënin punime me dorë dhe më pas i pyetën se sa të afërt i ndien me njëri-tjetrin.

Megjithëse ata u ndien njëlloj të miqësuar në fund të kurseve shtatë-mujore, personat e përfshirë në grupin e këndimit, u lidhën më shpejt.

Sipas kërkuesit Eilunid Pearce, ndryshimi midis atyre që këndonin dhe atyre që nuk këndonin, u duk që në fillim. Këndimi thyen më mirë akullin midis njerëzve dhe i bën ata të afrohen më shpejt me njëri-tjetrin.