Aktualitete

Presidentja në largim Atifete Jahjaga ka marrë pjesë në vënien e gurëthemelit të Spitalit të Pediatrisë ndërtimi i të cilit do të kushtojë 22 milionë euro. Në fjalën e mbajtur më ke këtë rast, Jahjaga ka thënë se ky do të jetë spitali më i mirë në rajon.

Presidentja e Kosovës , Atifete Jahjaga, në vënien e gurthemelit të spitalit të Pediatrisë  ka mbajtur një fjalë rasti  në ambientet e Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës.

E para e vendit ka thënë se Prishtina dhe Kosova po bëhet me spitalin më modern në rajon, spital që po ndërtohet me ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe, ku një donacion prej 22 milionë eurove është dhuruar për ketë projekt.

“Pas një sërë takimesh të ekspertëve dhe vizitave të shumta në prill të vitit të kaluar në vizitën në Abu Dabi kam nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e pediatrisë dhe kirurgjisë pediatrike në Prishtinë. Ku Prishtina bëhet më spitalin më modern në rajon, kjo edhe shënon investimin më të madh në sektorin e shëndetësisë.”

“Në hartimin e projektit të këtij spitali janë përfshirë ekspertë nga Emiratet e Bashkuara dhe ata të Republikës së Kosovës, ky projekt do të përfundohet deri më 2018,” ka thënë Jahjaga.

Më tej presidentja Jahjaga ka vënë sërish në pah rëndësinë e këtij spitali, duke pohuar se ky do të jetë spitali më i mirë në rajon dhe gjithashtu shënon një bashkëpunim të thellë në mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe bashkëpunimin në mes dy popujve.

“Donacioni prej 22 milionë eurove do të përdoret për ndërtimin dhe pajisjen me të gjitha kushtet e nevojshme.”

“Ky spital do të jetë spitali më modern në Kosovë dhe në rajon.  Vënia e gurthemelit të këtij spitali shënon një hap shumë të rëndësishëm në thellimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në mes institucioneve dhe popujve tanë,” ka përfunduar fjalën presidentja.