Aktualitete

Organizata InnovActive Centre for Social Improvement (ICSI) ndihmoi institucionet shëndetësore të Komunës së Podujevës me pajisje në vlerë 25 mijë euro.

Në kuadër të bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës, përkatësisht Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) dhe organizatës InnovActive Centre for Social Improvement (ICSI), kjo e fundit dhuroi pajisje të ndryshme për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë.

Në ceremoninë e dorëzimit të donacionit, ku prezenti ishin edhe këshilltarët politikë të ministrit të shëndetësisë Shefqet Sylejmani, Mirsad Kameolli dhe drejtori i QKMF-së, Afrim Shabani, pajisjet i ka pranuar drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Hyseni.

Hyseni e vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin me organizatën ICSI, duke thënë se ky donacionin ua lehtëson punën dhe përmirëson shërbimet në sektorin shëndetësor.

“Ky donacioni do ta ndihmojë shumë punën e institucioneve shëndetësore. Pajisjet e dhuruara për QKMF do të ndikojnë drejtpërdrejt në shërbime më të mira për pacientët. Ne jemi shumë të interesuar ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe për të sjellë edhe donacione të tjera”, tha Hyseni.

Ndërsa drejtori i organizatës ICSI, Migjen Krasniqi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me Komunën e Podujevës për të realizuar aktivitete të tilla edhe në të ardhmen.

Kontingjenti me ndihma nga kjo organizatë përfshinë pajisje teknike për institucionet e sektorit shëndetësor (shtretër, tavolina, karroca invalidësh, sirtar, dollapë dhe aparate të ndryshme).