Aktualitete

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani i shoqëruar nga zëvendësministri Izet Sadiku, priti sot në një takim të përbashkët udhëheqësit e Odës së Mjekëve të Kosovës, Odës së Farmacistëve, Odës së Stomatologëve, Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë si dhe Odës së Fizioterapeutëve.

Në takim theks të veçantë iu dha bartjes së kompetencave për rilicencimin e profesionistëve shëndetësor si dhe kompetencat për Edukimin e Vazhdueshëm Profesional nga Ministria e Shëndetësisë në Odat e Profesionistëve Shëndetësor.

Ministri Rrahmani u tha të pranishmëve se MSh ju ka përmbajt zotimeve të saja sa i përket Odave të Profesionistëve Shëndetësor,  duke ju dal përkrah për çdo nevojë që është paraqitur nga ana e tyre, si shkak i sfidave që kanë pasur në ngritjen dhe formimin e organeve të brendshme të tyre.

“Tani, interesi i përgjithshëm është që të fillojmë gradualisht me bartjen e kompetencave të përcaktuara me ligj, nga MSh tek Odat, duke u siguruar që këto kompetenca të barten në raport me ngritjen e kapaciteteve që do t’i bëjnë Odat për funksionalizimin e tyre si të pavarura, duke filluar me sigurimin e hapësirave të duhura dhe të nevojshme për veprimtarin e odave”, tha ministri Rrahmani.

Udhëheqësit e odave njoftuan Ministrin Rrahmani, për punët që janë bërë prej formimit të organeve të odave, dhe gatishmërinë e tyre për të marrë përgjegjësit që ju takojnë me ligj, si dhe njoftuan për vështirësitë e sfidat që i kanë hasur gjatë gjithë procesi, por edhe me pengesat që janë paraqitur si mungesë e hapësirës së nevojshme.

Pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është e domosdoshme që të bëhet një bartje graduale e kompetencave, duke filluar me marrjen e kompetencave në rilicencimin dhe Edukimin e Vazhdueshëm Profesional Shëndetësor.

Derisa për kompetencat e tjera u dakorduan që ato të barten nga MSh tek odat, në raport me ngritjen e kapaciteteve që do t’i bëjnë Odat për funksionalizimin e tyre si të pavarura.