Babai i ri

Roli i babait ashtu si ai i nënës fillon me dëshirën e pasjes së një fëmije dhe maturohet me prekjen e barkut të bashkëshortes shtatzënë.

Sigurisht që ndjekja e shtatzënisë së bashkëshortes, mbështetja e saj nga ana emocionale, ndarja me të e gëzimit, shqetësimeve, frikës, ndjekja e zhvillimit të fëmijës, marrja pjesë në kontrollet mjekësore, në përgatitjen e rrobave dhe sendeve të fëmijës pas lindjes, janë disa nga hapat më të rëndësishëm në përvetësimin e rolit të babait.

Gruaja provohet dhe sforcohet fizikisht dhe emocionalisht për shkak të ndryshimeve të përjetuara gjatë 9 muajve të shtatzënisë. Ndërsa burri përpiqet ta konceptojë fëmijën duke ndarë me gruan ndjenjat e saj dhe duke vëzhguar ndryshimin që pëson ajo. Marrja e fëmijës në krahë shënon mbarimin e fazës përgatitore si baba dhe fillimin e rolit. Në fillim meshkujt nuk mund ta shprehin lumturinë dhe emocionin e përjetuar në momentin e mbajtjes për herë të parë të fëmijës në dorë.

Shembull për fëmijën

Ndihmesa e shfaqur ndaj nënës që në momentin e lindjes së fëmijës dhe më pas është shumë e rëndësishme në krijimin e një komunikimi fiziko-psikologjik me fëmijën. Veçanërisht kontakti fizik dhe shikimi në sy është shumë i rëndësishëm. Baballarët të cilët përqafojnë bashkëshortet dhe fëmijët e tyre zotërojnë marrëdhënie më të shëndosha me fëmijët e tyre në të ardhmen. Të gjithë ne e njohim dhe kemi dëgjuar për rëndësinë e rolit të babait të qetë, të vendosur dhe të ndjeshëm në zhvillimin fizik, emocional dhe social të fëmijëve, vajza apo djem qofshin ato.

Si mund të parapërgatitemi

Përgatitja për rolin e nënës apo babait mund të fillohet para se të lindë fëmija. Në këtë pikë mund të kërkohet ndihma e specialistëve dhe të lexohen librat përkatës. Nëse bashkëshortët mirëkuptohen dhe mbështesin njëri-tjetrin problemet zgjidhen nën një frymë bashkëpunimi dhe tolerance.

Këshilla për nënat dhe baballarët e rinj:

  • Do t’ju duhet pak kohë për ta njohur fëmijën tuaj. Keni nevojë për pak durim, ambient të qetë, fuqi, forcë, rezistencë, respekt, mirësjellje, përgjegjësi, disipline, kujdes, vëzhgim, kohë dhe praktikë. Krahas kësaj dëgjoni dhe parandjenjat tuaja.
  • Gabimi më i shpeshtë që bëjnë femrat është të shpallin veten e tyre “nënë” kur lindin fëmijën. Nuk duhet të harrojnë se ato janë individë, gra, dhe bashkëshorte njëkohësisht. E njëjta gjë vlen dhe për burrat.
  • Bashkëpunimi në mes bashkëshortëve, kalimi i kohës së bashkë, ndarja e kohës për zbavitje dhe pushim veçanërisht gjatë 6 muajve të parë i lidh më shumë bashkëshortët me njëri-tjetrin.
  • Do t’ju bëjë mirë të shihni TV bashkë apo të dëgjoni muzikë pasi fëmijët të kenë fjetur. Ndonjëherë mund t’ia lini fëmijën prindërve tuaj për disa orë.
  • Duhet të mbështeten sidomos gjatë muajve të pare pas lindjes, muajve ku përjetohen problemet më të shpeshta të pagjumësisë.
  • Nuk duhet të mbyllen në shtëpi. Nëse kanë mundësi dhe koha është e bukur të marrin fëmijët dhe të dalin për shëtitje.
  • Të ndajnë shqetësimet me bashkëshortët apo miqtë. Edhe nëse problemi mund të jetë pa zgjidhje vetëm të folurit rreth tij e qetëson personin.

Çfarë mund të themi për fëmijët?

Studime të ndryshme kanë treguar se fëmijët e rritur pa dashuri janë të prirur të përjetojnë probleme të ndryshme emocionale në të ardhmen edhe nëse kanë pasur një përkujdesje të plotë. Madje në disa raste është parë se fëmijët e mbetur pa dashuri kanë shfaqur vonesë dhe në zhvillimin fizik dhe mendor. Gjatë vitit të parë duhet të plotësohen nevojat themelore të fëmijës si gjumi, ushqyerja dhe pastrimi. Plotësimi i këtyre nevojave në kohën dhe mënyrën e duhur krijon bazën e sigurisë ndaj botës jashtë. Me anë të kësaj rruge ai mëson të komunikojë me botën e jashtme, të ndihet i sigurt dhe të krijojë një lidhje të fortë me personin që përkujdeset për të.