Ministri Rrahmani priti në takim Grupin punues të Këshillit Ndërministror për Ujëra
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpuntorë, priti dje në takim Grupin punues të Këshillit Ndërministror për Ujëra.
Në takim u diskutua lidhur me zbatimin e rekomandimeve të raportit të hartuar nga Grupi Punues ndërinstitucional i ujërave.
Ministri Rrahmani tha se kërkesat që kanë për qëllim funksionalizimin e institucioneve për t’i shërbyer qytetarëve të vendit, në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të tyre, gjithherë do të kenë mbështetjen e MSh-së dhe do të realizohen në tërësi.
Grupi punues i Këshillit Ndërministror për Ujëra, pasi kanë njoftuar Ministrin për punën që po bëjnë, kanë potencuar se përmbushja e kërkesave të tyre do të ishte e mirëseardhur, dhe do të ndikonte në përmirësimin e punës së Qendrës së Ujit, por do të ndikonte edhe në plotësimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e cilësisë së ujit në Kosovë.