Aktualitete

Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, e ka pritur në takim bashkatdhetarin kamenicas që jeton dhe punon në Austri Rexhep Isufi, me të cilën kanë diskutuar për një kontingjent ndihmash për disa institucione komunale. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësueset e HANDIKOS-it në Kamenicë, Drejtori i Shëndetësisë Agim Bucolli dhe menaxheri i shtëpisë në komunitet Hajdin Krivaqa.

Rexhep Isufi, me prejardhje nga Kamenica e ka njoftuar nënkryetarin Matoshi me aktivitetet e shqiptarëve në Austri që kanë të bëjnë me mbështetjen komunave të Kosovës me ndihma nga më të ndryshmet.

“Ne po planifikojmë të sjellim një kontingjent me ndihma për Kamenicën, ku përfshihen shtretër elektrik për QKMF-në, Karroca dhe pajisje të tjera për të hendikepuarit, banka dhe karrige për shkolla, rroba për kryqin e kuq dhe Shtëpinë në komunitet ku jetojnë personat me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe ndihma të tjera. Këto ndihma sigurohen nga kosovarët që jetojnë e punojnë në Vells të Austrisë përmes shoqatave të ndryshme Austriake he rumune ndërsa ne bashkatdhetarët e paguajmë transportin e tyre për në Kamenicë”.

Nënkryetari Matoshi e ka falënderuar Rexhep Isufin dhe përmes tij edhe të gjitha kamenicasit që jetojnë në Vells të Austrisë për interesimin dhe angazhimin e tyre për të ndihmuar komunën, dhe ka premtuar se institucionet komunale do të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre gjatë realizimit të këtij projekti.

Palët janë pajtuar që ky projekt të realizohet gjatë pranverës së këtij viti, ndërsa zyra e HANDIKOS-it do të jetë pikë referuese dhe kontaktuese për realizimin e projektit të sjelljes së këtyre ndihmave.