Këshilla Shëndetësore

Një studim i ri ka paralajmeruar se njerezit të cilët konsumojnë pije të gazuara, kanë më shumë gjasa për të zhvilluar yndyra të rrezikshme të cilat krijohen rreth organeve të brendshme.

Disa shkencëtarë nga SHBA, me anë të një hulumtimi që ka zgjatur 6 vite dhe ku janë testuar  1000 njerëz të moshes së mesme, kanë gjetur se ata njerëz të cilët konsumojnë pije të gazuara çdo ditë, kanë 30% më shumë yndyrë ne organet e brendshme të tilla si mëlçia, pankreasi dhe zorrët dhe për më tej kjo e rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit dy.

Ekipi, i cili përfshinte ekspertë nga Harvard Medical School dhe Universiteti Tufs në Boston, tha se studimi shton edhe një pjesë të provave se pijet e gazuara janë të dëmshme për shëndetin.

Gjetjet e këtij hulumtimi kanë ardhur në kohën kur Qeveria e Britanisë së Madhe, është nën presion për të vënë një taksë mbi pijet që përmbajnë sheqer të shtuar.

Autorët e hulumtimit deklaruan se ata nuk e dinë arsyen e vërtetë se pse pijet e gazuara janë të lidhura me rriten e yndyrërave ne organet e brendshme, por theksuan se ata kanë dyshime se rezistenca e insulinës që shkaktohet nga sheqeri mund të luajë rol kryesorë në rritjen e kësaj yndyre.

Shkencëtarët shtuan se është e nevojshme që të bëhen edhe më shumë hulumtime për të konfirmuar këto gjetje dhe arsyet për to. Megjithatë, ky studim mbështet më tejë nevojën për të ndërmarrë veprime për të reduktuar konsumin e pijeve te gazuara./dailymail/.