Në Spitalin Amerikan sot është realizuar një operacion i cili është risi në Kosovë
Doktorët Halil Krasniqi dhe Elmi Olluri, kanë arritur që me procedurë hibride, të përfundojnë me sukses operacionin e arnimit të arteries së këmbës pas largimit të mbylljes së masave trombotike kronike, të arterieve të legenit dhe stenimit të saj.
Doktor Elmi Olluri, i cili ka marrë pjesë në këtë operacion të realizuar në Spitalin Amerikan tha se operacioni është realizuar me metodë hibride, që është risi në Kosovë.
Ai tha se këto raste janë të rralla në Ballkan, por në Evropë janë të përditshme. Sipas tij, Spitali Amerikan ka aparaturën dhe kushtet e nevojshme për realizimin e këtij operacioni.
Ai ka falënderuar doktorin Hilmi Krasniqi, i cili kishte ardhur nga Gjermania për të kontribuar në realizimin e këtij operacioni.
“Sot ishte një operacion me metodë hibride, një risi për Republikën e Kosovës, meqenëse se kushtet në spitalin ku e realizuam operacionin ishin adekuate dhe me kënaqësi doktor Halil Krasniqi e realizoi së bashku me asistimin tim, një operacion me metoda hibride, të cilat janë të rralla në Ballkan, mirëpo janë gati të përditshme në shtetet evropiane”, tha Olluri.
Në anën tjetër, doktor Halil Krasniqi, i cili ka realizuar këtë operacion, tha se ky lloj operacioni kryhet në kirurgjinë vaskulare. Ai shpjegoj se pacienti i cili u operua, kishte vuajtur nga mungesa e qarkullimit të gjakut në këmbë.
Doktor Krasniqi ka sqaruar se ky operacion ka qenë kombinim i një operacioni të hapur dhe operacionit indo vaskular, që sipas tij nëse nuk kryhet me kohë, atëherë pacienti rrezikon të humbas ekstremitetet e poshtme.
“Pacienti i cili tani u operua vuante nga mungesa e qarkullimit të gjakut në këmbë. Do të thotë okazionit të arterieve më të mëdha të barkut, të cilat deri më tani janë operuar apo janë trajtuar me hapje të abdomenit dhe është realizuar me një prerje shumë të vogël. Nëse nuk mjekohen me kohë, sëmundjet e tilla, pacienti mund të humbë ekstremitetin e poshtëm. Kështu që ne, në Gjermani operojmë qe një kohë të gjatë me metodë hibride. Do të thotë është një kombinim i operacionit të hapur dhe operacionit indo vaskular. Bëhet një hapje e vogël, lirohet arteria, hapet pjesa …. Rreziqet nga kjo sëmundje kanë qenë më herët shumë më të mëdha, ndërsa tani pothuajse janë komplet të zvogëluara, tha Krasniqi.
Operacione të tilla të suksesshme janë realizuar edhe më herët në Spitalin Amerikan, pasi që ai plotëson kushtet adekuate, qoftë me aparatura apo me staf profesionistësh./KosovaPress