Pini çaj të zi
Çaji i zi është një pije që mund të parandalojë krijimin e diabetit të tipit 2. Ky lloj i diabetit është duke u bërë gjithnjë e më i shpeshtë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë që nëse shprehitë e njerëzve nuk ndryshojnë, numri i personave që vuajnë nga diabeti deri në vitin 2030 do të jetë 900 milionë.
Në bazë të një studimi të realizuar nga shkencëtarët për shprehitë e njerëzve nëpër vende të ndryshme, është përcaktuar që në vendet ku përqindja e konsumimit të çajit të zi është më e lartë, përqindja e njerëzve që vuajnë nga diabeti i tipit 2 është më e ulët.
Në Irlandë, Turqi dhe Britani të Madhe përqindja e konsumimit të çajit të zi është më e lartë, derisa më e ulët është në Korenë Jugore, Brazil dhe Kinë.
Udhëheqësi i hulumtimeve, dr. Ariel Beresniak, ka deklaruar se si “ekziston lidhja në mes konsumimit të çajit të zi dhe reduktimit të rrezikut nga krijimi i diabetit të tipit 2, por gjithsesi është e nevojshme që hulumtimi të vazhdojë”.
Hulumtimi ka treguar që efekt të mirë kanë edhe çajet e gjelbra dhe të bardha, ndërsa më efikasi është i ziu, për shkak të procesit të prodhimit, transmeton Koha.net. Kështu, çaji i zi fermentohet më së miri dhe flavonoidet (katehinet) e thjeshta i ndryshon në komponime komplekse të cilat quhen teaflavinë dhe tearubiginë.
Këto komponime konsiderohet që reduktojnë rrezikun nga krijimi i kancerit dhe ngadalësojnë përhapjen e qelizave të kancerit. Edhe pse hulumtimi, i cili është publikuar në revistën BMJ Open, ka nevojë të vazhdohet, shkencëtarët gjithsesi rekomandojnë konsumimin e të gjitha llojeve të çajit, dhe në veçanti të çajit të zi.