Aktualitete

Një numër qytetarësh në kryeqytet kanë kërkuar ndihmë në QKUK, ps lëndimeve nga mjetet piroteknike.

Vetëm brenda 40 minutave, në Emergjencë kanë kërkuar ndihmë 15 pacientë, ku në mesin e tyre ishte edhe 2-vjeçari, i cili ishte lënduar nga një plumb qorr deri sa po festonte në shesh me prindërit e tij.

Mjeku kujdestar, Avdush Bajgora, ka treguar se 2-vjeçari është goditur në këmbë dhe sipas tij plumbi ka mundur të prek edhe organet e ekstremitetit. Megjithatë, Bajgora tha se pas ndërhyrjes mjekësore fëmija do të lirohet për në shtëpi.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Curr Gjocaj, ka apeluar te qytetarët që të festojnë në mënyrë dinjitoze. Curri tha se gëzimi i tepërt në formën jo të duhur mund të sjellë pasoja me fatalitet.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka vlerësuar se festa e Vitit të Ri këtë vit ka kaluar me më pak incidente dhe në mënyrë më të qetë krahasuar me vitin e kaluar./kp/