Aktualitete

Klinika me numrin më të madh të pacientëve ka rritë nivelin e gatishmërisë në ofrimin e kujdesit mjekësor për natën e ndërrimit të viteve.

Sigurimi i materialit shpenzues të barnave, ai i kuadrit dhe rritja e nivelit të gatishmërisë për ofrimin e kujdesit emergjent mjekësor, janë kapacitetet e shtuara për këtë natë feste.

Fatkeqësisht shumë ngjarje tregojnë se nata e Vitit të ri për shumë persona nga festa ka përfunduar me fatalitet.

Kjo për shkak të pakujdesisë në përdorimin e armëve dhe mjeteve piroteknike nga qytetarët e Kosovës, gjatë festave të fund-vitit.

E raste të tilla kanë përfunduar në Klinikën Emergjente në Prishtinë, ku disa prej tyre edhe ishin fatale. Drejtues të Klinikës Emergjente bëjnë thirrje për qytetarët që të festojnë me kujdes. Megjithatë, tregojnë se kanë rritur nivelin e gatishmërisë për këtë natë.

Basri Lenjani, shef i emergjencës, në një intervistë për KosovaPress tregon për përgatitjet që kanë bërë për festat e fund-vitit.

“Në krahasim me klinikat tjera, Klinika Emergjente do t’i mbulojë të gjitha ato raste të cilat kanë nevojë për shërbime emergjente mjekësore”, thotë Lenjani.

Lenjani thotë se nuk dëshirojnë që të përsëritet viti 2010 ku festa e Vitit të Ri kaloi me një numër të madh të të lënduarve nga mjetet piroteknike, numër i cili arriti në 134.

Numri i rasteve të tilla nga viti në vit shënoi rënie, si në vitin 2014 ku në emergjencë u paraqitën vetëm 24 raste, gjatë festës së fund-vitit.

Lenjani thotë se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm kur fëmijët e tyre shkrepin mjete piroteknike gjatë festës. Gjithashtu, përgjegjësinë e vë edhe tek Komuna e Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës do të ishte përgjegjëse për shkrepjen e tyre. Në qoftë se këto mjete piroteknike janë të pakontrolluara në do të kemi një numër të madh të rasteve që do të kërkojnë ndihmë emergjente mjekësore, që nganjëherë mund të jenë me fatalitet, me invaliditet e edhe me lëndime sipërfaqësore, të cilat mund ta ngarkojnë shërbimin tonë”, thotë ai.

Nga të shtënat dhe shkrepjet e mjeteve piroteknike shumë persona kanë pësuar lëndime.

Në vitin 2014 ishte edhe rasti që përfundoi me fatalitet, në Pejë, kur një qytetare u godit me një plumb qorr teksa qëndronte në ballkonin e shtëpisë së saj pas orës 00:00. /telegrafi./