Aktualitete

Përdorimi i mjeteve piroteknike si fishekzjarrët dhe petardet zë vend shumë të rëndësishëm në festimin e Vitit të Ri.

Pasi Kosova ditëve të fundit është duke u mbuluar nga mjegulla, ekspertët bëjnë thirrje që të zvogëlohet shkalla e përdorimit të këtyre mjeteve, sepse ato do të ndikojnë edhe më negativisht në shëndetin e qytetarëve.

Dr. Skënder Baca, mjek specialist për mushkëri, ka thënë për Klan Kosovën se tymi që lirohet nga mjetet piroteknike i takon kategorisë në mes të gazit lotsjellës dhe helmeve të rënda ushtarake, prandaj duhet kujdes i veçantë në përdorimin e tyre. Ky tym është posaçërisht i dëmshëm është nëse përdoret në vendet e mbyllura.

“Komponentët e materialit piroteknik në raport me organizmin e njeriut janë ksenobiotik, pra janë substancë e huaj dhe padyshim hyjnë në grupin e helmeve”.

“Këto gazra në kombinim me mjegullën (smog specifik) e shumëfishojnë efektin negativ edhe të mjegullës edhe të gazit, nëse këto dy elemente do të vepronin ndaras. Ky efekt në mjekësi/farmakologji quhet sinergjizëm (matematikisht e kalkuluar si 1+1=3)”, ka thënë Baca.

Ai ka bërë thirrje për mospërdorim të këtyre mjeteve dhe pret një thirrje të këtillë ta bëjnë edhe zyrtarët qeveritarë dhe policia.

Sipas tij, mjegulla si fenomen atmosferik-meteorologjik vetvetiu ka veprim negativ, sidomos tek pacientët me obstruksion bronkial, që e vështirëson këmbimin e lëngjeve qelizore.

“Kombinimi i tymit dhe mjegullës përbën smogun”, ka deklaruar ai.

Në rast të përdorimit të madh të mjeteve piroteknike, sasia e smogut do të shumëfishohej dhe kjo do të ndikonte negativisht tek pacientët me sëmundje kronike.

Për t’iu shmangur efekteve negative të smogut, Baca propozon që qytetarët të mbulojnë hundën dhe gojën me ndonjë shami, pastaj të marrin sa më shumë lëngje dhe të qëndrojnë në ambiente të klimatizuara.

Sipas Dr. Lulzim Zenelit, ligjërues i kimisë në UP, mjetet piroteknike ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut.

“Përdorimi i lëndëve piroteknike në kushtet klimatike me mjegull që po mbretërojnë në vend, jo vetëm që është kontribuues i rëndësishëm i ndotjes së ajrit dhe i rritjes së smogut – edhe ashtu mjaft prezent në vendin tonë, sidomos në kryeqytet – por njëkohësisht shton predispozitat e rritjes së ekspozimit te organizmit ndaj substancave toksike që padyshim reflektohen në rritjen edhe të efekteve negative (të dëmshme) për organizmin e njeriut”.

Zeneli ka shpjeguar për Klan Kosovën përmbajtjen kimike të këtyre mjeteve.

“Lëndët piroteknike janë substanca, ose përzierje e substancave, të cilat janë të dizajnuara për të prodhuar efekte në mjedise nëpërmjet dritës, nxehtësisë, zhurmës, gazit/tymit, ose nëpërmjet kombinimit të tyre, ku të gjitha këto manifestohen si rezultat i reaksioneve kimike ekzotermike”.

“Janë substanca të ndezshme në materialin piroteknik, që në fakt paraqesin ‘karburantin’ të pluhurave të metaleve dhe metaloideve (si alumini, mangani, hekuri, zirkoni, silici, nikeli, arseni, volframi, etj., të cilat janë në formë të hidrureve dhe karbamideve), si dhe komponimeve organike (si naftalen, antracen, salicilate, kripëra të acidit benzoik, etj”.

Edhe Zeneli tregon se cilat kategori janë të prekura më shumë në rast të ekspozimit ndaj tyre.

“Efektet shëndetësore reflektohen në përgjithësi në varësi të shkallës së ekspozimit, e sidomos te personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike respiratore, kardiovaskulare, pastaj gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël janë më të ndjeshmit”, ka thënë Zeneli, njofton Klan Kosova.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, mjegull do të ketë edhe në ditët në vijim.

Shkaktar i saj janë reshjet e fundit dhe temperaturat e larta të cilat e karakterizuan vjeshtën dhe më pas rënia e temperaturave deri në -5 gradë Celsius./klankosova/.