Aktualitete

Pas 8 ore operacioni, në Klinikën e Neurokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është arritur që me sukses të hiqet tumori tek pacientja e komunitetit romë, pra pacientes E.G (2001) nga Komuna e Lipjanit. Operacioni është kryer në vazhdën e operacioneve të suksesshme të kryera gjatë vitit 2015 nga kjo klinikë. Operacionin e ka kryer ekipa operatore në përbërje të; Prof.Dr. Arsim Morina, Ass.Dr. Agon Mekaj dhe Dr. Fatos Kelmendi, me specialisten e anesteziologjisë, Dr. Qamile Morina, instrumentaren Sanije Dervishi, infermieret Alldina Sylejmani dhe Vjollca Sopjani.

Pacientja ishte me tumor në trurin e vogël, përkatësisht në ventrikulin e katërt , i ngjitur për trungun trunor, e cila bllokonte qarkullimin e likuorit (lëngut trunorë -shpinorë ). Tumori hiqet në tërësi duke u liruar qarkullimi i likuorit. Pra, paraprakisht pacientja ka pasur nevojë të operohet për të vënë shantin.

Operacionet e tilla janë sfiduese edhe në qendrat më të zhvilluara neurokirurgjie në botë.

Tani pacientja ndihet mirë dhe është pa asnjë deficit neurologjik. Trajtimi i mëtejmë vazhdon nga ana e onkologut (me kemioterapi dhe radioterapi)./QKUK