Aktualitete

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Imet Rrahmani, dje ka pritur në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, për të diskutuar rreth marrëveshjeve të bashkëpunimit të cilat janë realizuar deri më tani, ndërmjet të dy vendeve.Me këtë rast, ministri Rrahmani ka shprehur falënderimet e tij për ndihmën që Republika e Turqisë ka dhënë në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe në veçanti, për mbështetjen e vazhdueshme të shëndetësisë kosovare.
Shëndetësia në vendin tonë ka nevojë për mbështetje të shteteve mike si në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore, po ashtu edhe në edukimin e vazhdueshëm profesional shëndetësor, ku ne jemi duke mbledhur të dhëna se në cilat fusha është më e nevojshme” tha ministri Rrahmani. Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivlcim Kilic, tha se interesi i Turqisë është që bashkëpunimi i deritanishëm me Kosovën të rritet dhe të zgjerohet, si në mbështetjen me aparatura, me staf profesional, por edhe me trajnime të nevojshme për punonjësit e sektorit shëndetësor kosovar, aty ku shihet se ka nevojë. Në takim u bisedua edhe për mundësinë e takimit në nivel ministrash të shëndetësisë, të Kosovës dhe Turqisë, me qëllim të forcimit dhe konkretizimit të bashkëpunimit të mëtejshëm në shëndetësi, në mes dy vendeve.