Mjekët e papunë të Mitrovicës pritet të punësohen në fillim të vitit 2016
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka realizuar një takim me mjekët dhe stomatologët e diplomuar të cilët aktualisht janë të papunë.
Bahtiri fillimisht i njoftoi mjekët e diplomuar me gjendjen e vështirë në shëndetësinë e komunës, për të thënë në vazhdim se Mitrovica ka nevojë për mjekët dhe stomatologët e diplomuar, por që fatkeqësisht gjendja jo e mirë buxhetore, nuk po lejon inkuadrimin e punëtorëve të rinj.
“Megjithëkëtë, unë me bashkëpunëtorët e mi, e kemi të çartë situatën në të cilën ndodheni ju dhe po bëjmë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për punësimin tuaj. Jemi në bisedë me Caritas Kosova nga Ferizaj dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për të realizuar një projekt me participim të barabartë të mjeteve, për punësimin e gjithë juve që keni diplomuar dhe të një numri infermierësh”.
Ai në vazhdim sqaroi se gjasat për realizimin e këtij projekti njëvjeçar janë të mëdha dhe se parashihet që paga mujore e mjekëve të jetë 450 euro, ndërsa puna duhet filluar në janar të vitit 2016.
“Gjatë vitit 2016, gjërat mund të lëvizin në drejtimin pozitiv dhe gjasat të shtohen për zgjidhjen e problemit tuaj të punës. Disa do të merrnin specializime përkatëse, për disa të tjerë do të liroheshin vende të punës, kurse për të tjerët do gjenden mjetet buxhetore” ka përfunduar ai.