Sport & Fitness

Aktiviteti fizik, veçanërisht metoda të caktuara, mund t’u ndihmojë të lehtësoni dhimbjet e ndryshme në organizëm, që nga ajo e kokës, menstruale, deri te artriti dhe ato të shpinës.

Fitnesi, ecja, vrapimi, notimi, kanë një varg të efekteve pozitive në shëndetin tonë, por edhe në gjendjen shpirtërore. Aktiviteti fizik, pikësëpari ndihmon në ruajtjen e peshës normale të organizmit. Por ai përmendet edhe si një mjet i rëndësishëm në parandalimin e një vargu problemesh shëndetësore, që nga ato kardiovaskulare, kanceret, e deri te shëndeti mental.

Metodat e ndryshme të aktivitetit fizik mund të shfrytëzohen edhe për të lehtësuar ose larguar plotësisht dhimbjet në organizëm. Për të përfituar në maksimum në lehtësimin e dhimbjeve të veçanta, Mjeku.Net ju sjell disa metoda të fitnesit dhe aspektet ku ato shfaqin dobitë më të mëdha shëndetësore.

Tai chi kundër stresit

Tai chi është një lloj i arteve marciale kineze, që ju ndihmon jo vetëm të krijoni aftësi për vetëmbrojtje fizike, por edhe shëndetësore. Stërvitjet tai chi në radhë të parë ju ndihmojnë të largoni lodhjen dhe stresin.

Lëvizjet e ngadalshme gjatë këtyre stërvitjeve sigurisht nuk do t’ju ndihmojnë të humbni kilogramët e tepërta. Por ato janë një mjet i mirë për të larguar stresin, duke larguar vëmendjen nga përditshmëria dhe duke u fokusuar atë në këto lëvizje relaksuese.

Studime të shumta kanë vërtetuar efektin e tai chi në uljen e ankthit, stresit dhe shqetësimeve, si dhe në ruajtjen e presionit normal të gjakut. Ky lloj aktivitet fizik ndihmon edhe forcimin e sistemit imun, duke na ndihmuar të mbrohemi më mirë nga viruset dhe bakteret.

Ecja kundër depresionit

Vetëm gjysmë ore ecje e shpejtë në javë mund të ketë efekt shumë më të mirë në uljen e depresionit se tabletat anidepresive. Ky është përfundimi i një studimi, që kishte përcjellë 156 persona për 16 javë, sipas të cilit depresioni ishte kthyer vetëm te 7 për qind e njerëzve të cilët kishin bërë ecje rekreative.

Hulumtimet tjera tregojnë se ecja rrit energjinë dhe kështu përmirëson edhe gjendjen shpirtërore. Për të përfituar edhe në aspekte të tjera, veç shëndetit mental, si në atë kardiovaskular, preferohet të ecni gjysmë ore të paktën pesë ditë në javë.

Notimi kundër sindromës paramenstruale

Sindroma paramenstruale (PMS) zakonisht shfaqet me një varg simptomash, si psikike (nervozë) ashtu edhe fizike (dhimbje). Për të ulur simptomat e saj ekspertët preferojnë aktivitet fizik që rrit nivelin e estrogjenit.

Nga të gjitha aktivitetet fizike, notimi ka dalë të jetë më efektiv në uljen e simptomave të PMS. Notimi ndihmon organizmin të relaksohet, dhe ndihmon në krijimin e një ekuilibri hormonal te femrat gjatë kësaj periudhe të ciklit menstrual.

Kur niveli i estrogjenit është më i ulët, mund të preferoni të notoni më gjatë, por kur fillojnë menstruacionet, preferohet të ulet intensiteti i këtij sporti.

Joga kundër dhimbjes së kokës

Joga gjithnjë e më shumë preferohet si një metodë alternative për trajtime të ndryshme shëndetësore. Dhe, ekspertët e këshillojnë këtë veçanërisht kundër kokëdhimbjes.
Rreth 75 për qind e rasteve me kokëdhimbje vijnë si pasojë e lodhjes muskulore ose mbajtjes keq të qëndrimit të trupit.

Dhe një varg studimesh amerikane kanë konfirmuar se joga ka një efekt të fuqishëm në uljen e dhimbjeve të kokës. Veç kësaj, kjo metodë relaksimi do t’u ndihmojë të luftoni stresin dhe ankthin, dhe do t’u ndihmojë të mësoni të mbani trupin në mënyrën e duhur.

Vrapimi kundër artritit dhe dhimbjeve muskulore

Vrapimi i rregullt, nëse bëhet si duhet dhe në mënyrë të vazhdueshme, mund t’u ndihmojë të ruani shëndetin e nyjave dhe muskujve dhe të shmangni ose lehtësoni dhimbjet në rast të artritit.

Hulumtimet kanë treguar se personat e moshuar të cilët merren me vrapim rekreativ kanë 25 për qind më pak gjasa të kenë dhimbje muskulore, ndërsa kanë gjasa më të vogla edhe të zhvillimit të artritit.

Vrapimi ndihmon nyjat dhe muskujt të mësohen me presionin e vazhdueshëm dhe të krijojnë qëndrueshmëri.

Gjimnastikë kundër dhimbjeve të shpinës

Gjimnastika dhe llojet tjera të fitnesit në qilim, mund t’u ndihmojnë të luftoni dhimbjet e shpinës. E mira e këtyre metodave është se ju mund t’i bëni ato edhe kur është moti i keq, dhe për to keni nevojë vetëm një qilim, ku do ta keni kontaktin me dyshemenë.

Fizioterapeutët thonë se lëvizjet e zgjatjes dhe tërheqjes së muskujve ndihmojnë jo vetëm në qetësimin e dhimbjeve të shpinës, por edhe në mbajtjen drejt të trupit. Fitnesi ndihmon edhe në largimin e stresit dhe forcimin e sistemit imun