Aktualitete

Nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë tymosin duhan rregullisht.

Sociologu Valter Nasufi, thotë se pasojat sociale dhe ato individuale të konsumimit të duhanit janë tejet negative, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe shëndetësor dhe social.
“Meqë çmimi i një paqete duhani është i lartë duke e krahasuar me standardet e Kosovës, atëherë kjo gjë tregon që mesatarisht një konsumator i rregullt harxhon rreth 60 euro në muaj, e duke ditur se pagesa mesatare në Kosovë sillet diku 320-340 euro, nese i bazohemi hulumtimeve të fundit që janë bërë. Pra duhanpirësit kosovar i duhet një e pesta e rrogës mujore vetëm për duhan. Prandaj shtresat e varfëra sa më shumë e konsumojnë duhanin aq më të varfër do të jenë”.

Nga këndvështrimi shëndetësor dhe social, Nasufi pohon që sipas hulumtimeve duhani vetëm  ndihmon në shtimin e stresit.
“Sot, në jetën dinamike, në të cilën përballemi çdo ditë, për rrjedhojë edhe angazhimet janë të mëdha, sidomos në tregun e punës. Duhani për shumicën e këtyre njerëzve është një mjet kundër stresit, një lloj shpëtimtari iluzionar, që ndikon në psikologjinë e njeriut. Por, sipas hulumtimeve të fundit duhani e shkakton më shumë stresin se sa e largon atë”.

Përdorues i rregullt i duhanit është edhe G.S nga Prishtina tregon që duhanin ka filluar ta konsumojë që në moshë të hershme.
“Kam tentuar ta lë por nuk kam mundur, shpenzoj shumë për duhan edhe pse nuk jam shumë mirë me kushte ekonomike, por për duhan gjithmonë gjej të holla,” është shprehur G.S.

Nderkohë, me problematikën e duhanit si dukuri është duke luftuar edhe Ministria e Shëndetësisë. Kjo ministri duke pasur për qëllim ta luftojë duhanin ka përfshirë brenda ligjit edhe sanksionet  për ata që tymosin duhan në vendet e mbyllura publike.

Në ligjin e Ministrisë së Shëndetësisë për duhan thuhet ky ligj “përcakton masat për kufizimin dhe ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike, përbërjes së dëmshme të cigareve, vendosjen obligative të shënimit për dëmet nga pirja e duhanit dhe mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së këtij ligji.

Sipas një hulumtimi të Qendrës për Zhvillim dhe Avokim, del se niveli i shkeljes së ligjit për kontrollin e duhanit është rreth 82.6 për qind në klube nate, 22.2 për qind në objekte komunale, 20 për qind në gjykata, 16.2 për qind në shkolla të mesme, 8.8 për qind në universitete dhe kolegje, 8 për qind në institucione shëndetësore, 3.6 për qind në qendra tregtare.