Aktualitete

Gjatë vizitës në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë, Ministri Imet Rrahmani, tha se Memorandumi i bashkëpunimit Kosovë-Kroaci  ka krijuar hapësirë për bashkëpunim edhe në fushën e sigurimeve shëndetësore, ndërsa përvoja kroate në këtë aspekt, mund t’i shërbejë edhe Kosovës në rrugën e implementimit të sigurimeve shëndetësore

Zagreb, 28 tetor 2015

Pas nënshkrimit të Memorandumit të bashkëpunimit në shëndetësi e mjekësi me Ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Kroacisë, Siniša Varga, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, ka kryesuar një delegacion të Kosovës që kanë qëndruar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Republikës së Kroacisë.

Delegacioni i MSh-së, Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë, në përbërje të cilit ka pasur edhe zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe zyrtarë edhe nga niveli i Kujdesit Parësor Shëndetësor, janë pritur nga drejtoresha e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë, znj. Tatjana Trupec dhe udhëheqësit e departamenteve të këtij fondi.

Ministri Rrahmani ka thënë se Memorandumi i bashkëpunimit Kosovë-Kroaci  ka krijuar hapësirë për bashkëpunim edhe në fushën e sigurimeve shëndetësore, ndërsa përvoja kroate në këtë aspekt, mund t’i shërbejë edhe Kosovës në rrugën e implementimit të sigurimeve shëndetësore.

Ndërsa, drejtoresha e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë, znj. Trupec dhe bashkëpunëtorët e saj, e kanë njoftuar delegacionin nga Kosova në detaje me mënyrën se si funksionojnë sigurimet shëndetësore në Kroaci, format e tyre, mënyrat e mbledhjes së kontributeve, kontraktimit të shërbimeve shëndetësor, sistemin elektronik të implementimit të tyre, mënyrës së hartimit të listës së barnave që rimbursohen, menaxhimin elektronik të recetave mjekësore dhe shumë aspekte të tjera që i kanë shoqëruar sigurimet shëndetësore në Kroaci, përfshirë edhe rreziqet, por edhe të arriturat në këtë fushë.

Gjatë prezantimeve të detajuar dhe diskutimeve disa orëshe, janë debatuar edhe ide të ndryshme për mënyrat më adekuate të implementimit të sigurimeve si dhe janë dhënë rekomandime, të cilat mund t’i shërbejnë implementimit të sigurimeve shëndetësore në Kosovë.

Në takimin në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë, Ministri Rrahmani dhe delegacioni nga Kosova është shoqëruar edhe nga Ambasadorja e Kosovës në Republikën e Kroacisë, Shkëndije Geci-Sherifi.

Ndërkohë, përmes vizitave në disa prej qendrave më të njohura shëndetësore të niveleve të ndryshme në Kroaci si: Spitalit Universitar “Dubrava”, Qendrës Klinike Universitare (KBC Zagreb), Qendrës Emergjente Mjekësore në Zagreb, Qendrës Nacionale të Transplantimeve “Merkur”, Agjensisë Kroate për Kualitet dhe Akreditim, etj., delegacioni nga Kosova është njoftuar me shërbimet që ofrohen në këto qendra, mundësitë e bashkëpunimit, por edhe me mënyrën se si kontraktohen këto institucione nga Fondi i Sigurimeve shëndetësore dhe si ato funksionojnë praktikisht në Kroaci./MSH/