Aktualitete

Prishtinë, 30.10.2015

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Bordin Nacional pёr Kontrollin e Kancerit nё Kosovë dhe përkrahjen e UNFPA-së-zyra në Prishtinë, sot ka organizuar tryezën e rrumbullakët “Mamografia mobile-impakti sot dhe nesër”, ku kanë marrë pjesë  Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Jan Brathu, Ambasadori Italian në Kosovë, z. Andreas Ferrarese, përfaqësuesja e grave deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës përfaqësues të OBSH-së, UNFPA-së dhe ekspertë shëndetësorë vendor.

Presidentja Jahjaga ka thënë se “për një muaj me radhë, si institucione dhe shoqëri, kemi organizuar një sërë aktivitetesh për të shënuar muajin e vetëdijesimit për kancerin e gjirit, e kthyer tashmë në një traditë të përmotshme gjatë së cilës synojmë të ngremë vetëdijen qytetare mbi domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta mjekësore për parandalimin dhe mposhtjen e kësaj sëmundjeje”. Më tutje znj. Presidente ka shtuar se “kemi kërkuar nga qytetarët e vendit, nga gratë e burrat, nga vajzat e djemtë, t’i kushtojnë vëmendjen e duhur shëndetit të tyre, duke shprehur përkushtimin institucional për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të specializuara dhe profesionale për të garantuar diagnostikim të hershëm dhe trajtim adekuat në përballën me këtë sëmundje”. “E kemi bërë gjithë këtë, pasi kanceri i gjirit është një ndër sëmundjet më vdekjeprurëse ndër gratë, e cila prek edhe burrat, por e cila mund të mposhtet, dhe mund të shërohet kur ajo zbulohet me kohë dhe kur zbulohet herët”, ka thënë Presidentja Jahjaga

Ministri Rrahmani tha se “Qasja me prioritet ndaj shëndetësisë, angazhimeve dhe koordinimet e përbashkëta po japin rezultate çdo ditë në procesin e reformimit të shëndetësisë, sigurimit të financimit të qëndrueshëm, në ngritjen e kapaciteteve të reja profesionale, në rritjen e shërbimeve shëndetësore si në sasi ashtu edhe në cilësi, duke krijuar mundësi të reja për qasje të barabartë në shërbime shëndetësore nga të gjithë, në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e jetës së shëndetshme”.

Derisa ka siguruar se MSh-ja do të jetë e angazhuar në baza ditore në sigurimin e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së projektit, ministri Rrahmani ka shtuar se “kthimi i besimit të popullatës mund të arrihet vetëm me një qasje të tillë universale në edukimin shëndetësorë, në promovimin e shëndetit, në pasimin e së vërtetës, kontakteve të sinqerta , mesazheve inkurajuese dhe aplikimit të metodologjive shkencore në hulumtimin, parandalimin, zbulimin e hershëm dhe mjekimin adekuat “.

Në tryezën e rrumbullakët ka qenë prezent edhe Ambasadori i Norvegjisë nё Kosovë, z. Jan Brathu, i cili ka përshëndetur punën e bërë nga i tërë stafi shëndetësor i angazhuar në këtë projekt, me të cilën punë siç ka thënë ai “është arsyetuar angazhimi i të gjithë akterëve të involvuar në këtë projekt”.

Në këtë tryezë ka folur edhe përfaqësuesja e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Lirije Kajatazi, e cila ka përshëndetur punën që është bërë nga ekipi i Mamografisë, duke kujtuar edhe nismën për blerjen e këtij mamografi nga gratë deputete të mandatit të kaluar.

Znj. Visare Mujko, nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara-UNFPA, Zyra nё Kosovë ka vlerësuar punën që është bërë deri më tani në Kosovë për vetëdijesimin e grave për të bërë ekzaminime të hershme për kancer të gjirit, por njëkohësisht ka apeluar se ka vend për të bërë edhe më tepër.  

Ndërsa Dr. Ardian Biçaku Koordinator i projektit Ma-Mo_mamografia mobile ka prezantuar raportin vjetor tё implementimit tё Projektit, ku ka thënë se prej muajit shkurt 2015, kur edhe ka filluar të implementohet projekti, janë bërë 2355 ekzaminime të kancerit të gjirit me Mamografin –mobil, ku nga ky numër 80% e grave janë ekzaminuar për herë të parë, dhe prej numrit të përgjithshëm kanë rezultuar pozitiv me kancer të gjirit 16 raste.

Dr. Biçaku ka vlerësuar se shënimet që janë mbledhur gjatë ekzaminimeve janë të rëndësisë së madhe për të planifikuar hapat e mëtutjeshëm në parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit.

Kryesues i Bordit Nacional pёr kontrollin e kancerit nё Kosovë, Dr. Elvis Ahmedi, ka folur për rëndësinë e Skriningut të kancerit tё gjirit nё Kosovë dhe mundёsitё, alternativat dhe sfidat që përballet Kosova me këtë sëmundje, ku ndër të tjera tha se “zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit do të ndalonte kancerin e avancuar dhe do të zvogëlonte rastet e vdekjeve”.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Dr Ekrem Hyseni ka prezantuar punën që është duke u bërë në këtë klinikë në trajtimin e sotëm të Kancerit të gjirit, për rëndësinë e terapisë në përmirësimin e cilësisë së jetës së të të sëmurëve me kancer si dhe për sfidat e sё nesërmes, që mund t’i ketë Kosova për këtë sëmundje.

Ndërsa, prezantimin se si bëhet trajtimi i karcinomёs sё gjirit nё Kosovë e ka bërë drejtori i Klinikës Torakale të QKUK-së, dr. Saud Maliqi.

Në fund të tryezës ka pas diskutime në mes pjesëmarrësve për të gjetur hapat e ardhshëm në parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit.

Qëllimi i tryezës së rrumbullakët ishte për të paraqitur dhe diskutuar pёr rёndёsinë e mamografisё nё zbulimin e hershëm tё kancerit tё gjirit si dhe rezultatet e arritura deri me tani me përdorimin e Mamografit mobil nё vendin tonё./MSH/