Aktualitete

Në këtë takim u sqarua se. sipas Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, nga pagesa e doganës lirohen të gjitha barnat e shtojcës D nga ky ligj ku hyjnë citostatikët (të gjitha format dhe dozat), antidiabetikët, produktet e hemodializës dhe dializës peritoneale si dhe infuzionet

Nën  kryesimin e Zëvendësministrit të Shëndetësisë, Izet Sadiku, sot në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt një takim në të cilin zyrtarë të MSh-së, Administratës Tatimore, Agjensionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, të Shoqatës së Distributorëve të Kosovës dhe të Odës së Farmacistëve të Kosovës kanë diskutuar rreth ndikimit të pakos së re fiskale në sektorin shëndetësor, në mënyrë specifike në sektorin farmaceutik.

Në këtë takim, zyrtarët  e ATK-së kanë dhënë shpjegime në çështjet e ngritura nga zyrtarë e MSH-së dhe të sektorit farmaceutik, pas aplikimit të TVSH-së për 8 për qind në disa produkte farmaceutike, që ka ngritur shqetësimet rreth ndikimit të kësaj vlere te barnat që blihen nga pacientët në Kosovë.

Pas diskutimeve dhe shpjegimeve të shumë-anshme, në takim u vlerësuar se pakoja e re fiskale do të ketë efekte pozitive në tregun farmaceutik në Kosovë, sepse do të ndihmojë unifikimin e tregut të  barnave sa u përket taksave, krijon mundësinë e një kontrolli më të mirë nga ATK edhe për produkte medicinale, duke luftuar në këtë mënyrë informalitetin, bëhet unifikim me të gjitha shtetet tjera evropiane duke hequr favorizimin e prodhuesve nga shtetet e regjionit (te të cilët taksa doganore nuk aplikohet pasi hyjnë si shtete të marrëveshjes CEFTA, krijon sasi të mjeteve financiare për blerjen shtesë të barnave nga lista esenciale, etj.

Në këtë takim, gjithashtu u sqarua se sipas Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, nga pagesa e doganës lirohen të gjitha barnat e shtojcës D nga ky ligj ku hyjnë citostatikët (të gjitha format dhe dozat), antidiabetikët, produktet e hemodializës dhe dializës peritoneale si dhe infuzionet.

Kjo çështje u tha se duhet t’u sqarohet autoriteteve doganore, me qëllim që importuesit e këtyre llojeve të produkteve të mos paguajnë doganën për to, ndërkohë që, një çështje tjetër e cila u konsiderua e  nevojshme të diskutohet në nivele të larta është çështja e kontratave të operatorëve ekonomikë me Ministrinë e Shëndetësinë.