Sëmundjet me shkronjën: T, Th

Tuberkulozi (TBC) është një infeksion bakterial i shkaktuar nga Mycobacterium tuberculosis. Ky bakter zakonisht prek mushkëritë, por mund të dëmtojë edhe pjesët tjera të trupit.

Bakteri përhapet përmes ajrit kur një person i sëmurë me tuberkuloz të mushkërive kollitet, teshtin ose flet. Nëse jeni ekspozuar ndaj një personi të tillë, duhet ta vizitoni mjekun. Jeni më të prirë të sëmureni nga TBC-ja nëse keni sistem të dobët imunitar.

Simptomat e tuberkulozit të mushkërive mund të përfshijnë:

  • Kollitje e keqe që zgjat tri javë e më gjatë
  • Humbje në peshë
  • Nxjerrje e gjakut ose mukusit me kollitje
  • Dobësi ose lodhje
  • Ethe dhe dridhje
  • Djersitje gjatë natës

Nëse nuk trajtohet si duhet, tuberkulozi mund të jetë vdekjeprurës. Zakonisht, tuberkulozi aktiv mjekohet duke përdorur disa medikamente për një periudhë të gjatë kohore. Njerëzit me formën latente të TBC-së mund të marrin barna, në mënyrë që të mos e zhvillojnë tuberkulozin aktiv.

Shumë njerëz të infektuar me bacilin e tuberkulozit e strehojnë bakterin pa simptoma (kanë TBC latent), por disa do ta zhvillojnë sëmundjen aktive. Një nga dhjetë njerëz të infektuar me Mycobacterium tuberculosis mund të sëmuret nga TBC në një periudhë të jetës së vet. Rreziku më i madh për zhvillimin e sëmundjes është në vitin e parë pas infeksion, por zakonisht sëmundja aktive zhvillohet pas shumë vitesh.

Simptomat e hershme të tuberkulozit aktiv përfshijnë humbjen në peshë, ethe, djersitje gjatë natës dhe humbje të apetitit. Simptomat mund të jenë të paqarta dhe të mos dallohen nga personi i infektuar.

Për disa, sëmundja mund të ndërpritet, ndërsa për të tjerët mund të bëhet kronike dhe më ligështuese me kollitje, dhimbje në gjoks dhe nxjerrje të sputumit (pështymës) me gjak. Simptomat e tuberkulozit në një organ tjetër, varen nga vendi ku është shkaktuar infeksioni.