Sëmundjet me shkronjën: S, Sh

Çfarë është spondiliti ankiloz?

Spondiliti është një formë e artritit progresiv që shfaqet si pasojë e pezmatimit kronik të kyçeve në shpinë. Emri i saj vjen nga fjala greke “ankulos”, që do të thotë mpiksje e kyçit (nyjës), dhe “spondylo”, që nënkupton unazë. Spondilit do të thotë inflamacion i shpinës në një ose më shumë struktura të afërta të unazave (vertebrave).

Spondiliti ankiloz i takon grupit të sëmundjeve të quajtura spondiloartropati seronegative. Seronegative do të thotë se një person ka dalë negativ për një autoantitrup të quajtur faktori reumatoid.

Spondiloartropatitë janë familje e sëmundjeve të ngjashme të cilat zakonisht shkaktojnë inflamacion në kyçe dhe shpinë. Sindromat tjera të këtij grupi përfshijnë artritin psoriatik, artritin e sëmundjes inflamatore të zorrëve, artritin kronik reaktiv, dhe artritin idiopatik juvenil të lidhur me entezitin.

Edhe pse këto sëmundje kanë ngjashmëri, ato po ashtu kanë tipare që i dallojnë nga të tjerat. Vula apo tipari dallues i spondilitit ankiloz është “sakroilitisi” ose inflamacioni i kyçit sakroiliak, vendit ku shpina bashkohet me pelvikun (legenin).

Te disa njerëz, spondiliti ankiloz mund të prekë edhe kyçet jashtë shpinës, si shpatullat, brinjët, ijët, gjunjët dhe shputat. Ai po ashtu prek entezat, të cilat janë vende ku tendonet dhe ligamentet lidhen për kocka. Është e mundshme që ai të prekë edhe organet tjera, si sytë, zorrët, dhe – më rrallë – zemrën dhe mushkëritë.

Edhe pse shumë njerëz me spondilit ankiloz kanë episode të lehta të dhimbjes së shpinës që herë shfaqen dhe herë largohen, të tjerët kanë dhimbje të ashpra, të vazhdueshme, të shoqëruara me humbje të fleksibilitetit të shpinës. Në shumicën e rasteve inflamacioni afat-gjatë çon në kalcifikim, proces i cili bën që dy ose më shumë kocka të shpinës të ngjiten. Ngjitja mund po ashtu të ndodhë në kafazin e kraharorit, duke bërë të kufizohet kapaciteti dhe funksioni i mushkërive.

Kush preket nga spondiliti ankiloz?

Spondiliti ankiloz zakonisht fillon në adoleshencë ose moshë të re madhore, por prek njerëzit për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Rreth 80 për qind e njerëzve me këtë sëmundje i zhvillojnë simptomat para moshës 30 vjeçe. Vetëm pesë për qind i zhvillojnë simptomat pas moshës 45 vjeçe. Disa autoritete thonë se kjo sëmundje prek dy herë më shumë meshkujt se femrat.

Çfarë e shkakton spondilitin ankiloz?

Shkaktari i spondilitit ankiloz është i panjohur, por sipas gjasave edhe gjenet e edhe faktorë të tjerë ambientalë luajnë rol në shfaqjen e tij. Gjeni kryesor i lidhur me dyshime për spondilitin ankiloz është i quajturi gjeni HLA-B27, por ta kesh këtë gjen nuk do të thotë patjetër se ju do të zhvilloni spondilitin ankiloz. Në fakt, rreth tetë për qind e popullatës amerikane e kanë këtë gjen, por më pak se pesë për qind e tyre (një në 20) me gjenin HLA-B27 në të vërtetë e zhvillojnë spondilitin ankiloz.

Shkencëtarët, të mbështetur nga Instituti Kombëtar Amerikan për Artrit dhe Sëmundje Muskuloskeletore dhe të Lëkurës, së fundi kanë zbuluar dy gjene të tjera ERAP1 (i njohur më herët si ARTS1) dhe IL23R, të cilat së bashku e HLAB27, mund të paraqesin një rrezik më të madh gjenetik për të zhvilluar spondilitin ankiloz.

Faktorët si infeksionet ose bakteret normale të cilat jetojnë në zorrë, mund ta nxisin sëmundjen te njerëzit të cilët janë gjenetikisht më të prirë për të.